Teksa ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi po vazhdon vizitën në shtëpinë e tij, ish-deputeti Daut Haradinaj u ka bërë thirrje krerëve të shtetit që ta vizitojnë atë.
Haradinaj u ka bërë thirrje presidentes, kryeministrit, ministres së Drejtësisë dhe kryeparlamentares që të shkojnë për vizitë te Krasniqi, duke e cilësuar këtë si obligim moral.
“Shpresoj që në këtë ditë, kur do të votohet projektligji i rikthyer nga presidentja, vetë presidentja, kryeministri, ministrja e Drejtësisë dhe kryeparlamentarja të shkojnë dhe ta vizitojnë bacën Jakup në familje. Është obligim moral. Thirrje publike, shkoni vizitojeni këtë burrë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka vlerësuar kontributin e Krasniqit në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, duke rikujtuar se ai është dënuar me 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale.
“Është njëri prej njerëzve kryesorë në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe një prej njerëzve kryesorë që u dënua me 25 vjet për një vepër që as vetë nuk po e kuptojnë ata që e kanë shqiptuar. Një njeri i moshuar, i ndershëm, një burrë, një patriot që e ka gati një të tretën e shekullit nëpër burgje”, ka deklaruar Haradinaj./Indeksonline/

