Edhe pse në fushë ishin lojtarë nga ekipe si Barcelona, Real Madrid apo Atletico Madrid, Shqipëria U21 doli e pamposhtur nga miqësorja me Spanjën U21, e mbajtur në stadiumin “Air Albania” të Tiranës.
Protagonisti kryesor që rezultoi “mur” për talentet iberikë ishte padyshim portieri Alain Taho. 7 goditje në kuadrat nga Spanja U21, por në asnjë rast topi nuk përfundoi në rrjetë, e gjithë meritë e talentit që luan me Inter U23.
Gjiganti botëror, “Marca”, medium pranë Real Madrid në Spanjë, ka shkruar me superlativa për Tahon: “Lojtari më i mirë në fushë i Shqipërisë. Është ai përgjegjësi që Spanja nuk e fitoi këtë ndeshje”.
19-vjeçari po demonstron gjithmonë e më shumë besim e garanci në katërkëndësh dhe me këtë ritëm, shumë shpejt ka për të kryer debutimin te Kombëtarja A. Jo vetëm kaq, por klubi i Interit në Itali e shikon si opsion ideal për të mbrojtur kuadratin e zikaltërve pas pak vitesh.

