Me ardhjen e ditëve të ftohta dhe ndezjen e ngrohjes, ajri në apartamente bëhet shpesh më i thatë.
Kjo mund të shkaktojë tharje të lëkurës, irritim të hundës dhe fytit, si dhe kruarje të syve.
Për këtë arsye, shumë familje përdorin lagështues ajri, por ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i gabuar i tyre mund të sjellë më shumë probleme sesa përfitime.
Sipas rekomandimeve të Klinikës Mayo dhe Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), lagështia relative në ambientet e brendshme duhet të mbahet ndërmjet 30 dhe 50 për qind. Nëse niveli është brenda këtij intervali, nuk ka nevojë për një pajisje të tillë.
Si ta kuptoni nëse keni nevojë për lagështues ajri?
Para se të blini një lagështues, rekomandohet të matni nivelin e lagështisë në apartament me një pajisje të quajtur higrometër. Disa lagështues modernë kanë edhe matës të integruar, që ndihmojnë në ruajtjen automatike të nivelit të duhur.
Nëse lagështia është nën 30 për qind, një lagështues mund të ndihmojë në lehtësimin e shqetësimeve që lidhen me ajrin e thatë.
Kur mund të bëhet i dëmshëm?
Përdorimi i tepërt i lagështuesit mund të krijojë kushte të favorshme për zhvillimin e mykut, baktereve dhe marimangave të pluhurit. Lagështia e lartë mund të shkaktojë edhe kondensim në dritare, mure dhe dysheme.
EPA rekomandon që lagështia në ambiente të brendshme të mbahet nën 60 për qind, për të parandaluar zhvillimin e mykut. Nëse vini re lagështi në perde, dritare, qilima apo sipërfaqe të tjera, duhet të ulni intensitetin e pajisjes ose ta fikni atë.
Personat që vuajnë nga astma ose alergjitë këshillohen të konsultohen me mjekun përpara përdorimit të një lagështuesi.
Rreziku që vjen nga mungesa e pastrimit
Një nga gabimet më të zakonshme është lënia e ujit për ditë të tëra në rezervuar. Një pajisje e papastër mund të shpërndajë baktere dhe myk në ajër, duke shkaktuar probleme me frymëmarrjen dhe shqetësime të tjera shëndetësore.
Për këtë arsye, rekomandohet që uji të ndërrohet çdo ditë dhe pajisja të pastrohet të paktën çdo tri ditë, duke ndjekur udhëzimet e prodhuesit.
Gjithashtu, nuk këshillohet shtimi i vajrave esencialë në rezervuar, përveç rasteve kur pajisja është projektuar posaçërisht për këtë funksion.
Çfarë uji duhet të përdorni?
Ekspertët rekomandojnë përdorimin e ujit të distiluar ose të demineralizuar. Uji i zakonshëm i rubinetit përmban minerale që mund të shpërndahen në ajër dhe të lënë një shtresë të bardhë pluhuri mbi mobilie.
Ndërsa familjet me fëmijë të vegjël duhet të kenë kujdes të veçantë me lagështuesit që prodhojnë avull të nxehtë, pasi derdhja e ujit mund të shkaktojë djegie.
Në përfundim, lagështuesi i ajrit mund të jetë i dobishëm gjatë sezonit të ngrohjes, por vetëm kur përdoret në masën e duhur dhe pastrohet rregullisht. /Telegrafi/

