Presidenti amerikan, Donald Trump, presidenti rus, Vladimir Putin, dhe presidenti kinez, Xi Jinping, janë takuar të mërkurën në qytetin Shenzhen të Kinës, gjatë ceremonisë mirëseardhëse të Samitit të Liderëve të APEC-ut.
Tre liderët kanë shkëmbyer përshëndetje dhe janë fotografuar së bashku, ndërsa momenti që mori vëmendjen ishte shtrëngimi i duarve mes Trumpit dhe Putinit, në praninë e Xi Jinpingut, transmeton lajmi.net.
Takimi vjen një ditë para samitit të parë zyrtar trepalësh mes liderëve të tri fuqive të mëdha botërore.
Çfarë po ndodh në samit?
Presidenti kinez, Xi Jinping, e ka pritur personalisht presidentin amerikan, Donald Trump, në aeroportin e Shenzhenit. Trump është pritur me ceremoni shtetërore, tapet të kuq, gardë nderi, himne kombëtare dhe fluturim të avionëve ushtarakë.
Ndërkohë, takimi mes Trumpit dhe presidentit rus, Vladimir Putin, ka tërhequr vëmendje të veçantë, pasi të dy liderët janë parë duke shtrënguar duart. Ky është takimi i tyre i parë fizik që nga gushti i vitit 2025, kur ishin takuar në Alaskë.
Gjatë qëndrimit në Kinë, Xi Jinping dhe Vladimir Putin kanë zhvilluar edhe një takim dypalësh, ku kanë diskutuar për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, duke riafirmuar partneritetin mes Kinës dhe Rusisë.
Ndërkaq, për të enjten, më 19 nëntor, është paralajmëruar takimi i parë zyrtar trepalësh mes Donald Trumpit, Vladimir Putinit dhe Xi Jinpingut. Në këtë takim pritet të diskutohen çështje të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë, konfliktin në Iran, armët bërthamore, tregtinë ndërkombëtare, inteligjencën artificiale dhe sigurinë globale.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është edhe takimi i veçantë dypalësh mes Trumpit dhe Putinit, i cili pritet të mbahet të enjten. Sipas ABC News, ky takim është konfirmuar nga një zyrtar amerikan.
Samiti po përcillet me interes të madh ndërkombëtar, pasi takimet mes tre liderëve mund të kenë ndikim të rëndësishëm në zhvillimet politike, ekonomike dhe të sigurisë në nivel global./lajmi.net/

