Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, ka zhvilluar takim me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti.
Sipas njoftimit të KFOR-it, në takim është diskutuar për një sërë çështjesh, përfshirë situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe është vlerësuar bashkëpunimi dhe koordinimi i vazhdueshëm ndërmjet KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.
KFOR-i ka ritheksuar se mbetet i përqendruar në zbatimin e mandatit të tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes.
Në njoftim theksohet se KFOR-i vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), secili në kuadër të përgjegjësive të veta si reagues të sigurisë.

