Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e udhëhequr nga ministrja Fitore Pacolli, ka ndërmarrë masa ndaj ndotjes së lumit Klina në fshatin Klinë e Epërme të Skenderajt.
Pas një inspektimi në terren, Inspektorati i Ministrisë ka evidentuar mbeturina të hedhura përgjatë rrjedhës së lumit, në një gjatësi prej rreth 250 metrash.
Sipas njoftimit, pavarësisht pastrimeve të realizuara disa herë gjatë këtij viti, hedhja e mbeturinave nga qytetarë të papërgjegjshëm ka vazhduar.
Për këtë arsye, Ministria ka urdhëruar Komunën e Skenderajt dhe Drejtorinë e Inspektoratit që të bëjnë pastrimin e hapësirës, të identifikojnë personat përgjegjës për ndotjen dhe të ndërmarrin masa ndaj tyre, me qëllim parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen.
Po ashtu, Komuna është obliguar të raportojë për veprimet e ndërmarra.
Ministria ka theksuar se mbrojtja e lumenjve është përgjegjësi e përbashkët. /Lajmi.net/

