Aktori Macaulay Culkin rikthehet në rolin e tij ikonik si Kevin McCallister, në një reklamë të re festive të një marke, duke emocionuar fansat e filmit të famshëm “Home Alone”.
Në reklamë, Culkin, tashmë 46 vjeç, shfaqet i vetëm në një restorant të McDonald’s pas orarit të punës, transmeton Indeksonline.
I kënaqur që ka mbetur pa njeri përreth, ai rikrijon disa nga skenat karakteristike të filmit, duke luajtur njëkohësisht rolin e punonjësit dhe klientit. Më pas, përgatit një McFlurry dhe një hamburger për vete.
Në një moment argëtues, ai ndan edhe patatet e skuqura ndërsa në fund prezanton një palë çorape me tematikën e “Home Alone”, të cilat vijnë së bashku me menynë speciale.
Rikthimi i aktorit në rolin e Kevin McCallister ka ngjallur entuziazëm te fansat, të cilët janë shprehur të lumtur që e shohin sërish në personazhin që e bëri të famshëm në mbarë botën.
Një prej komentuesve shkroi: “Duket se Culkin po e shijon vërtet jetën e tij tani. Shumë mirë për të!”./Indeksonline/

