Një nënë e pesë fëmijëve ka humbur jetën disa orë pasi pësoi komplikime gjatë një ndërhyrjeje estetike për zmadhimin e vitheve, e njohur si Brazilian Butt Lift (BBL).
Procedura ishte kryer në shtëpinë e një shoqeje të saj në Gloucester të Anglisë, shkruan The Mirror, transmeton IndeksOnline.
Alice Webb, 33-vjeçare nga Wotton-under-Edge, iu nënshtrua ndërhyrjes më 23 shtator 2024, por gjatë procedurës gjendja e saj u përkeqësua dhe ajo u dërgua me urgjencë në spital. Aty ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të ditës pasuese.
Gjatë seancës hetimore për vdekjen e saj, patologu bëri të ditur se shkak i vdekjes ishte hyrja në qarkullimin e gjakut e acidit hialuronik, i cili ishte përdorur gjatë procedurës estetike.
Sipas dëshmive të paraqitura në hetim, dyshohet se gjatë ndërhyrjes në trupin e saj ishin injektuar rreth 1 mijë e 400 mililitra të kësaj substance.

