Organizimi i Festivalit Evropian të Këngës 2026 në Vjenë ka gjeneruar 77.2 milionë euro vlerë të shtuar për ekonominë e Austrisë, prej të cilave 59 milionë euro për kryeqytetin austriak.
Këto janë të dhënat e një studimi të Institutit Austriak për Kërkime Ekonomike (WIFO), të porositur nga Qyteti i Vjenës dhe të publikuar nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), transmeton Zeri.info.
Sipas studimit, edicioni i 70-të i Eurovisionit, i mbajtur në maj të këtij viti, ka kontribuar me 86 milionë euro në bruto produktin vendor (BPV), ndërsa të hyrat nga taksat dhe kontributet sociale kanë arritur në 33 milionë euro.
Organizimi i festivalit lidhet edhe me rreth 990 vende pune, ekuivalente me afërsisht 800 vende pune me orar të plotë.
Studimi tregon se për çdo euro të shpenzuar nga organizatorët, janë gjeneruar 1.41 euro vlerë e shtuar ekonomike. Nëse llogariten vetëm shpenzimet e financuara nga fondet e tyre, kjo shifër arrin në 2.20 euro.
Mijëra turistë nga jashtë Vjenës
Rreth 58 mijë persona që kishin bileta për festivalin udhëtuan drejt Vjenës nga qytete të tjera, ndërsa pothuajse 60 për qind e tyre ishin nga jashtë Austrisë.
Në festival morën pjesë edhe rreth 7.600 delegatë, përfaqësues të mediave dhe punonjës të produksionit.
Në mesin e mediave, për herë të tretë si e akredituar për ta ndjekur festivalin nga afër ka qenë edhe ekipi i Zëri.
Në total, janë shitur afro 95 mijë bileta për shfaqjet e Eurovisionit, për pjesëmarrës nga 85 shtete.
Vizitorët që udhëtuan drejt Vjenës qëndruan mesatarisht katër net, pothuajse dyfishi i pritjeve të organizatorëve dhe dukshëm më gjatë se mesatarja e zakonshme e qëndrimit në kryeqytetin austriak, prej 2.3 netësh.
Ndërkaq, 78 për qind e vizitorëve kanë deklaruar se do t'ua rekomandonin të tjerëve vizitën në Vjenë, ndërsa 77 për qind kanë thënë se do ta vizitonin sërish qytetin.
120 mijë vizita në Eurovision Village
Përveç netëve të festivalit në Ëiener Stadthalle, Eurovisioni kishte organizuar edhe aktivitete të shumta në hapësira publike të qytetit.
Eurovision Village në Rathausplatz regjistroi rreth 120 mijë vizita, ndërsa 39 lokacione të transmetimit publik në 15 distrikte të Vjenës u mundësuan qytetarëve ta ndiqnin festivalin së bashku.
Rreth 50 mijë vizita u regjistruan edhe në aktivitetet përcjellëse jashtë vendit ku u mbajtën shfaqjet zyrtare.
Ndikimi i festivalit u vërejt edhe te banorët lokalë. Sipas studimit, 76 për qind e banorëve të Vjenës vlerësuan se aktivitetet gjatë javës së Eurovisionit ia kishin vlejtur, krahasuar me një nivel të parashikuar prej 67 për qind nëse festivali nuk do të mbahej.
Efekti ekonomik mund të zgjasë edhe pas festivalit
Studimi i ËIFO-s ka analizuar edhe ndikimin afatgjatë të Eurovisionit në turizëm, duke marrë si shembull organizimin e festivalit në Vjenë më 2015.
Sipas analizës, gjatë periudhës 2015–2017, Vjena kishte regjistruar mesatarisht rreth 560 mijë bujtje ndërkombëtare më shumë në vit, ose 4.8 për qind mbi nivelin e qyteteve të krahasueshme evropiane që nuk e kishin organizuar festivalin.
Ndërkaq, statistikat zyrtare të turizmit tregojnë se Vjena regjistroi 6.4 për qind më shumë bujtje gjatë muajve maj dhe qershor 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.
Kryebashkiaku i Vjenës, Michael Ludëig, ka vlerësuar se Eurovisioni ka dëshmuar se kultura, turizmi dhe ekonomia mund të përfitojnë nga organizimi i një ngjarjeje të përmasave ndërkombëtare.
Studimi është realizuar përmes anketave me vizitorë, organizatorë dhe banorë, të dhënave të biletave dhe telefonisë mobile, si dhe statistikave zyrtare të turizmit. /Zëri

