Avokati Arsim Vranovci, i cili jeton dhe vepron ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Austrisë, ka bërë një apel publik e vëllazëror drejtuar organizatorëve të protestës së paralajmëruar më 28 Nëntor në Tiranë, duke kërkuar të shqyrtohet mundësia e zhvendosjes së saj në një datë tjetër.
“Kjo kërkesë nuk ka asnjë prapavijë politike. Nuk flas si mbështetës apo kundërshtar i askujt, por si shqiptar që e ndien 28 Nëntorin me gjithë zemër. Kjo nuk është thjesht një datë, por dita e Flamurit, e historisë, e sakrificave dhe e krenarisë sonë kombëtare.”
Vranovci thekson se respektimi i të drejtës për të protestuar dhe dëshira për ta festuar Ditën e Flamurit nuk duhet të shihen si qëndrime kundërshtuese.
“Nuk kërkoj nga askush të heqë dorë nga zëri i tij, nga bindjet apo nga e drejta për të protestuar. Kërkoj vetëm që, në frymë mirëkuptimi, të shqyrtohet mundësia e një date tjetër. Kjo është një kërkesë nga zemra, me respekt të plotë për të gjithë.”
Ai u drejtohet organizatorëve me një mesazh të sinqertë dhe emocional:
“Nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe diaspora, shumë shqiptarë udhëtojnë drejt Tiranës për ta festuar këtë ditë. Vijmë me familjet dhe fëmijët tanë, me Flamurin kuqezi në duar dhe me mallin për Shqipërinë në zemër. Ju lutemi vëllazërisht, na e mundësoni që edhe këtë herë të mos mungojmë në festën tonë kombëtare, në Tiranën tonë të dashur. Më 28 Nëntor nuk vijmë për politikë. Vijmë për Flamurin, për historinë dhe për dashurinë që kemi për Shqipërinë.”
Për të dëgjuar mendimin e qytetarëve, është krijuar enkas një platformë votimi, ku çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike apo vendit ku jeton, mund të përgjigjet me PO ose JO në pyetjen:
A mendoni se protesta e paralajmëruar më 28 Nëntor në Tiranë duhet të zhvendoset në një datë tjetër, që Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë të mbetet një ditë feste, gëzimi

