Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka bërë apel ndaj qytetarëve për kujdes dhe përgjegjësi të shtuar gjatë këtyre ditëve të acarta, duke shmangur çdo veprim që mund të rrezikojë sigurinë në rrugë dhe hapësira publike, përfshirë trotuaret dhe rrugët.
Policia ka theksuar rëndësinë e kujdesit të veçantë për pronarët e autolarjeve që bëjnë pastrimin e veturave, duke i paralajmëruar ata për pasojat e derdhjes së ujërave në trotuare dhe rrugë, të cilat shkaktojnë ngrica.
Këto ngrica mund të jenë një rrezik serioz për sigurinë e trafikut rrugor dhe këmbësorëve, duke rritur mundësinë e aksidenteve.
“Policia, në bashkëpunim me organet komunale, do të ndërmarrë masa të shtuara kontrolli dhe do të zbatojë masat ligjore ndaj atyre që shkelin këto rregulla,” thuhet në njoftim.
Autoritetet bëjnë thirrje që qytetarët të respektojnë rregullat dhe të tregojnë kujdes, ndërsa Policia mbetet e përkushtuar për garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët. /Telegrafi/