Kombëtarja e Kosovës ka pësuar rënie prej dy pozitash në renditjen e re të FIFA-s, pas rezultateve të regjistruara në ndeshjet e fundit ndërkombëtare.
Sipas të dhënave të përditësuara të shtëpisë së futbollit botëror, “Dardanët” tani pozicionohen në vendin e 78-të në botë, me gjithsej 1322.10 pikë, shkruan IndeksOnline.
Kjo lëvizje prapa vjen pas mbylljes së fazës së grupeve në Ligën e Kombeve, ku disfata 3-0 ndaj Republikës së Irlandës në Dublin ndikoi drejtpërdrejt në bilancin e pikëve të Kosovës.
Humbja ndaj irlandezëve pasoi barazimin pa gola (0-0) ndaj Izraelit, ndërsa më herët “Dardanët” kishin regjistruar barazime edhe ndaj Austrisë dhe Izraelit.
Në përballjen e fundit në Dublin, ndeshja mori një kthesë të pafavorshme për Kosovën qysh në minutën e 26-të, kur mbrojtësi Kreshnik Hajrizi u ndëshkua me karton të kuq për prekje të topit me dorë në vijën e portës.
Një gjë të tillë e shfrytëzuan vendasit përmes Troy Parrott, i cili shënoi nga penalltia dhe realizoi sërish në fillim të pjesës së dytë, përpara se Jack Moylan ta vuloste rezultatin përfundimtar 3-0.
Megjithatë, kjo rënie e lehtë nuk e zbeh progresin e shënuar nga përfaqësuesja kosovare gjatë viteve të fundit. Vetëm një muaj më parë, në tetor, Kosova kishte arritur pozitën e 76-të, që përbënte renditjen më të lartë në historinë e saj.
Për “Dardanët” tani mbetet fokusi te rikthimi i rezultateve pozitive në sfidat e radhës, me synimin për t’u ngjitur sërish në renditjen botërore. /IndeksOnline/

