Një aeroplan i British Airways ngeci në bar në aeroportin Heathrow, pasi doli nga rruga e lëvizjes tokësore.
Aeroplani Boeing 787 Dreamliner, që ishte nisur për në Lagos të Nigerisë, ngeci pasi rrota e tij e përparme përfundoi në bar, ndërsa po lëvizte nga porta drejt pistës, pak pas orës 10:00.
Një zëdhënës i aeroportit në Londrën perëndimore deklaroi se po punohet për ta kthyer aeroplanin në zonën e parkimit, duke shtuar se nuk ka pasur të lënduar dhe se incidenti nuk ka ndikuar në operacionet e tjera të aeroportit.
Një zëdhënës i British Airways u shpreh: “U kërkojmë ndjesë të sinqertë klientëve tanë për ndërprerjen e fluturimit të tyre. Ekipet tona po punojnë për t’i nisur ata drejt destinacionit sa më shpejt të jetë e mundur dhe janë në kontakt me ta për të zgjidhur situatën”.
Nuk është ende e qartë se përse ndodhi incidenti me fluturimin 75 të British Airways. /Telegrafi/

