Rrjeti sekret që përdor Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së (NSA) për komunikimet e brendshme ka dalë jashtë funksionit, ka raportuar CNN, bazuar në burimet e këtij mediumi.
Rrjeti i njohur si NSA Net, u mundëson punonjësve të agjencisë të komunikojnë brenda saj për informacione të klasifikuara. Deri më tani, nuk ka prova që ndërprerja të jetë shkaktuar nga ndonjë sulm kibernetik, i thanë burimet CNN-it.
Ndërsa, agjencia po përpiqet të përcaktojë përmasat e problemit, ajo ka vendosur një sistem me orare të shkallëzuara të paraqitjes në punë për personelin, thanë burimet.
CNN ka kërkuar një koment nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare. Një zyrtar aktual dhe një ish-zyrtar amerikan thanë se ndërprerja e NSA Net nuk do të ndikojë në aftësinë e agjencisë për t'i përcjellë informacione urgjente të inteligjencës presidentit Donald Trump, ndërsa ai udhëton në Azi me avionin presidencial Air Force One.
Të dy burimet përshkruan ekzistencën e disa sistemeve rezervë dhe rrjeteve alternative, të cilat qeveria mund t'i përdorë për të komunikuar në mënyrë të sigurt me presidentin. Në atë kohë, Trump ndodhej në Filipine, përpara se të nisej drejt Kinës të nesërmen, ku pritej të zhvillonte bisedime me udhëheqësin kinez Xi Jinping dhe presidentin rus Vladimir Putin.
Ndërprerja në agjencinë më të fuqishme të inteligjencës amerikane vjen pas disa problemeve të mëdha teknologjike që kanë prekur kompanitë ajrore dhe korporata të tjera në SHBA.
Të gjitha fluturimet në mbarë vendin u pezulluan për disa orë të premten, pas një defekti të madh në sistemet teknologjike, duke shkaktuar vonesa ose anulime të mijëra fluturimeve. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) e gjurmoi problemin deri te një ruter i vetëm në Arkansas.
Ndërkohë, një ndërprerje e madhe javën e kaluar, që preku produktet e Microsoft-it, bëri që përdoruesit në mbarë botën të mos kishin qasje në postën elektronike Outlook dhe në takimet përmes Microsoft Teams.
Deri më tani, nuk ka asnjë tregues se ndërprerjet në NSA, FAA apo Microsoft janë shkaktuar nga sulme kibernetike. Megjithatë, këto raste tregojnë qartë se si defektet teknologjike mund të shkaktojnë kaos në tregje dhe potencialisht të përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare.

