Një tjetër lëvizje e madhe po përgatitet në tregun e talenteve të reja të futbollit evropian. Super-talenti 16-vjeçar i akademisë së Manchester United, JJ Gabriel, ka konfirmuar zyrtarisht se ka marrë vendimin për t’u larguar nga gjiganti anglez, duke i dhënë lamtumirën klubit ku u formua.
Përmes një njoftimi zyrtar, futbollisti i ri ka falënderuar klubin, trajnerët dhe bashkëlojtarët për mbështetjen e vazhdueshme gjatë viteve të kaluara në akademinë e “Djajve të Kuq”, duke hapur kështu rrugën për një kapitull të ri në karrierën e tij.
Sipas raportimeve të gazetarit të njohur të merkatos, Fabrizio Romano, destinacioni i ardhshëm i tij pritet të jetë gjiganti spanjoll, Real Madrid.
Talenti anglez tashmë ka vendosur t’i bashkohet “Los Blancos”, ndërsa marrëveshja mes palëve është në fazën përfundimtare dhe pritet të nënshkruhet së shpejti.
Paraqitjet e tij mbresëlënëse me grupmoshat e reja të United dhe të kombëtares së Anglisë tërhoqën vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha evropiane, por projekti i Real Madridit rezultoi vendimtar për zgjedhjen e tij.
Ky transferim është pjesë e strategjisë së mirënjohur të Real Madridit në vitet e fundit, e cila fokusohet në sigurimin e talenteve më të mëdha botërore në moshë të re për t’i integruar gradualisht në ekipin e parë. /IndeksOnline/

