Ndeshja mes Irlandës dhe Kosovës do të nisë në orën 20:45, dhe do të transmetohet direkt në Klan Kosova.
Ndërkaq, sipas gazetarit të Klan Kosova, Andi Shabani, i cili gjendet në Irlandë, në stadium të pranishëm do të jenë rreth 550 tifozë dardanë.
“Dardanët ishin në numër të konsiderueshëm, janë rreth 550 bileta”, tha Shabani.
Ndërkaq, drejtori i sportit në Artmotion, Arlind Sadiku, tha se ndeshja e sotme do të jetë ndryshe nga ajo e luajtur në Prishtinë, kur Kosova mposhti mysafirët 1-0.
“Do të sulmojnë që nga minuta e parë, duke e ditur që e kanë vetëm fitoren si opsion. Irlanda në vitin 2028 do të organizojë Kampionatin Evropian, dhe normalisht që duan që të jenë të pranishëm në këtë garë. Nuk e kanë të sigurt pjesëmarrjen, por Irlanda, me një fitore sonte, do të ngjitet në vazon e dytë në shortin për Kampionatin Evropian. Kështu që, përpos që e çon në play-off fitore kundër Kosovës në Ligën e Kombeve, do t’ia sigurojë edhe një të mirë shumë të madhe në shortin për Evropian”, tha Sadiku.
Ai tha se Dardanët e dinë këtë fakt, “dhe shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv”.

