Një gabim në komunikimin zyrtar të autoriteteve në landin gjerman të Nordrhein-Westfalenit ka shkaktuar reagime, pasi fillimisht ishte raportuar se në një aeroplan të kontraktuar për dëbime ndodhej vetëm një person, ndërsa në bord ishin edhe 34 shtetas shqiptarë që po deportoheshin drejt Shqipërisë.
Sipas raportimit të mediumit gjerman BILD, fluturimi ishte realizuar më 29 shtator, me nisje nga Dyseldorfi dhe ndalesë në Sofje të Bullgarisë, përpara se aeroplani të vazhdonte rrugën drejt Tiranës.
Fillimisht, Ministria e Refugjatëve në Nordrhein-Westfalen kishte bërë të ditur se me këtë fluturim ishte dëbuar vetëm një person, i shoqëruar nga autoritetet përkatëse.
Megjithatë, pas ngritjes së pikëpyetjeve dhe raportimeve mediatike, ministria e rishikoi rastin dhe pranoi se informacioni fillestar kishte qenë i paplotë, transmeton Telegrafi.
“Përgjigjja e parë për fluturimin e 29 shtatorit ishte fatkeqësisht e paplotë dhe për këtë arsye është krijuar një pasqyrë e gabuar”, ka deklaruar një zëdhënëse e ministrisë për BILD.
Sipas sqarimit zyrtar, në aeroplan ndodhej një person që kishte destinacion Sofjen, ndërsa 34 persona të tjerë po dëboheshin drejt Shqipërisë. Aeroplani kishte vazhduar më pas fluturimin drejt Tiranës.
Rasti kishte nxitur debat në Gjermani, sidomos për kostot e fluturimeve të posaçme për dëbimin e personave pa të drejtë qëndrimi.
Deputeti i FDP-së, Alexander Steffen, ka kritikuar ministren e Refugjatëve, Verena Schäffer, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si po organizohen dëbimet nga autoritetet e landit, transmeton Telegrafi.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje për transparencën dhe saktësinë e informacionit që institucionet gjermane u japin opinionit publik dhe mediave lidhur me operacionet e dëbimit./Telegrafi/

