Nënkryetarja e Kuvendit, njëherësh u.d, e kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku ka mbajtur konferencë pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Pas verdiktit dënues në aktgjykimin e dytë ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, Çitaku tha se këtij vendimi do t’i përgjigjen ashtu siç e meriton, raporton IndeksOnline.
“Do t’i përgjigjemi ashtu siç e meriton, me qëndresë, me veprime konkretë politike e demokratike. Lufta jonë për liri ishte e drejtë. Lufta jonë për liri nuk mund të njolloset asnjëherë”, u shpreh Çitaku.
Ajo shtoi se për shkak të mungesës së kuorumit në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, ka mbetur ‘pezull’ edhe diskutimi për votimin për Ligjin për Specialen.
Megjithatë, ajo tha se beson që Ligji do të kalojë në Kuvend.
Pos tjerash, Çitaku i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të vije në konsultime.
“I bëjmë thirrje BE-së që të vijë në konsultime dhe të na japë rekomandime, që ne do t’i marrim seriozisht”, tha ajo.

