KORREKT / SOT17 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Kulture

Doris Lessing, një jetë kushtuar letërsisë dhe çmimi Nobel

Doris Lessing, një jetë kushtuar letërsisë dhe çmimi Nobel

Doris May Lessing ishte shkrimtare britaniko-rodeze, e njohur për romanet, tregimet dhe veprat e saj që trajtonin përvojën femërore, marrëdhëniet shoqërore, politikën dhe identitetin njerëzor. Ajo u nderua me çmimin Nobel në Letërsi në vitin 2007, duke u bërë një nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë së shekullit XX.

Lessing u lind më 22 tetor 1919 në Kermanshah të Iranit, nga prindër britanikë. Gjashtë vjet më vonë, familja e saj u shpërngul në Rodezinë Jugore, territor që sot njihet si Zimbabve, ku ajo kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë dhe rinisë.

Ajo e ndërpreu shkollimin në moshën 13-vjeçare dhe vazhdoi të edukohej kryesisht në mënyrë autodidakte. Interesimi për letërsinë, politikën dhe çështjet shoqërore u zhvillua që në adoleshencë, ndërsa tregimet e para nisi t’i shkruante dhe t’i botonte në revista kur ishte 15 vjeçe.

Në vitin 1949, Lessing u vendos në Londër, ku iu përkushtua karrierës letrare dhe bindjeve të saj politike. Gjatë kësaj periudhe u angazhua kundër aparteidit dhe armëve bërthamore. Për shkak të qëndrimeve të saj politike, në vitin 1956 iu ndalua hyrja në Afrikën e Jugut dhe Rodezi për shumë vite.

Karriera e saj letrare nisi zyrtarisht me romanin e parë, “The Grass Is Singing”, botuar në vitin 1950. Megjithatë, vepra që i solli njohje ndërkombëtare ishte “The Golden Notebook”, e publikuar në vitin 1962, e konsideruar si një nga romanet më të rëndësishme të saj.

Ndër veprat e tjera të njohura të shkrimtares janë seria “Children of Violence”, romani “The Good Terrorist” dhe seria fantastiko-shkencore “Canopus in Argos: Archives”. Gjatë karrierës së saj, ajo botoi më shumë se 50 libra, duke përfshirë romane, përmbledhje tregimesh, drama dhe vepra autobiografike.

Një aspekt tjetër i veçantë i krijimtarisë së saj ishte përdorimi i pseudonimit Jane Somers. Në vitet 1980, Lessing botoi dy romane me këtë emër, me qëllim që të dëshmonte vështirësitë me të cilat përballen autorët e rinj për të botuar veprat e tyre.

Në vitin 2007, Akademia Suedeze i ndau çmimin Nobel në Letërsi, duke e vlerësuar si një shkrimtare që, përmes fuqisë vizionare dhe kritikës së saj, kishte trajtuar përvojën femërore dhe një qytetërim të ndarë. Në moshën 87-vjeçare, ajo u bë fituesja më e moshuar e këtij çmimi në atë kohë.

Gjatë jetës së saj, Lessing u nderua edhe me çmime të tjera të rëndësishme letrare, përfshirë David Cohen Prize në vitin 2001 dhe çmimin Princi i Asturias për Letërsi po atë vit.

Doris Lessing vdiq më 17 nëntor 2013, në moshën 94-vjeçare, në shtëpinë e saj në Londër. Ajo la pas një trashëgimi të gjerë letrare, ndërsa veprat e saj vazhdojnë të studiohen dhe të lexohen në mbarë botën. /kultplus

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.