KORREKT / SOT17 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Prokurorja e Specializuar mirëpret aktgjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve: Do të vazhdojmë ndjekjen e rasteve të pengimit të drejtësisë

Prokurorja e Specializuar mirëpret aktgjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve: Do të vazhdojmë ndjekjen e rasteve të pengimit të drejtësisë

Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka mirëpritur aktgjykimin dhe dënimet e shqiptuara ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit në rastin për pengim të drejtësisë, duke paralajmëruar se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të vazhdojë hetimet dhe ndjekjet penale për vepra të tilla.

Në një deklaratë pas shpalljes së aktgjykimit, West tha se vendimi i gjykatës dërgon një mesazh të qartë se askush nuk është mbi ligjin, pavarësisht pozitës apo statusit që ka, transmeton lajmi.net.

Ajo theksoi se personat që përpiqen të ndërhyjnë në dëshmitë e dëshmitarëve, të zbulojnë materiale konfidenciale të gjykatës apo të pengojnë sundimin e ligjit, duhet të mbajnë përgjegjësi.

Sipas aktgjykimit, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u shpallën fajtorë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë tentativën për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindjen ndaj gjykatës, përmes përpjekjeve të paligjshme për të ndikuar te dëshmitarët e mbrojtur.

Gjykata veçoi rolin udhëheqës të Thaçit në koordinimin e këtyre përpjekjeve, ndërsa e shpalli atë fajtor edhe për shkeljen e fshehtësisë së procedurës.

Ndërkaq, Hajredin Kuçi u shpall fajtor për një akuzë të mosbindjes ndaj gjykatës, kurse Isni Kilaj u shpall i pafajshëm.

West tha se përpjekjet për të cenuar integritetin e procesit gjyqësor nuk mund të tolerohen dhe se ZPS-ja do të vazhdojë të jetë e palëkundur në hetimin dhe ndjekjen penale të veprave kundër administrimit të drejtësisë.

Akuzat në këtë rast, sipas ZPS-së, u ngritën mbi bazën e audioincizimeve të fshehta, të autorizuara nga gjykata, si dhe materialeve të sekuestruara.

Prokuroria pretendoi se Thaçi, gjatë kohës sa mbahej në paraburgim në Hagë, u kishte dhënë udhëzime të paligjshme vizitorëve të tij që të kontaktonin dëshmitarët e ZPS-së në procesin gjyqësor për krime lufte ndaj tij.

Njoftimi i plotë: 

Prokurorja e Specializuar mirëpret aktgjykimin, premton të vazhdojë hetimet dhe ndjekjet penale ndaj pengimit të drejtësisë

Prokurorja e Specializuar Kimbërli Uest (Kimberly West) mirëpriti aktgjykimin dhe dënimet e sotme në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, dhe premtoi se do të vazhdojë të hetojë dhe ndjekë penalisht të gjitha rastet e pengimit të drejtësisë për të garantuar ruajtjen e integritetit të procedurave.

Gjykata shpalli zotërinjtë Thaçi, Smakaj, dhe Fazliu, fajtorë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, që përfshijnë tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës, duke bërë përpjekje të paligjshme për të ndikuar tek dëshmitarët e mbrojtur. Gjykata nënvizoi veçanërisht rolin udhëheqës të z. Thaçi në koordinimin e këtyre tentativave për pengim dhe gjithashtu e shpalli atë fajtor për shkelje të fshehtësisë së procedurës. Gjykata dënoi gjithashtu z. Kuçi për një akuzë të mosbindjes ndaj gjykatës dhe shpalli z. Kilaj të pafajshëm.

Duke komentuar aktgjykimin e sotëm, Prokurorja e Specializuar tha: “E mirëpres aktgjykimin dhe dënimet e sotme të cilat japin një mesazh të qartë: ata që përpiqen të sabotojnë sundimin e ligjit, të zbulojnë materiale sekrete të gjykatës apo të ndërhyjnë tek dëshmitarët, do të vihen para përgjegjësisë pavarësisht statusit apo postit të tyre.

“Këto përpjekje minojnë ruajtjen e integritetit të procesit gjyqësor dhe atyre iu duhet dalë ballas,” vazhdoi znj. Uest. “ZPS-ja do të vazhdojë të jetë e palëkundur në hetimin dhe ndjekjen penalisht të veprave penale kundër administrimit të drejtësisë për të mbrojtur sundimin e ligjit.”

Akuzat në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët për administrimin e drejtësisë u ngritën në bazë të audioincizimeve të individualizuara e të fshehta, të bëra me autorizimin e gjykatës, dhe materialeve të sekuestruara që demonstrojnë se z. Thaçi, që ishte në paraburgim në Hagë, iu dha udhëzime të paligjshme vizitorëve të tij që të kontaktonin dëshmitarë të ZPS-së në procesin për krime lufte ndaj z. Thaçi që ishte në proces./lajmi.net/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.