Mbi 25 mijë pacientë kanë marrë kujdes emergjent shëndetësor në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026.
Sipas njoftimit të këtij spitali, gjatë periudhës janar–shtator janë trajtuar gjithsej 25 mijë e 625 pacientë në Shërbimin e Emergjencës.
Spitali ka bërë të ditur se ky shërbim po përballet me mbingarkesë të vazhdueshme dhe fluks të shtuar të pacientëve.
Ngarkesa më e madhe, sipas njoftimit, është vërejtur në shërbimet emergjente ortopedike, internistike dhe kirurgjike.
Për këtë arsye, nga Spitali i Mitrovicës u kanë bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë zinxhirin e referimit shëndetësor, në mënyrë që të sigurohet trajtim më i shpejtë dhe cilësor për pacientët me gjendje të rënda shëndetësore.
Qytetarëve u është rekomanduar që fillimisht t’u drejtohen Urgjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) ose ambulancave më të afërta për kontrolle rutinore dhe gjendje që nuk paraqesin rrezik akut.
Ndërkaq, në Emergjencën e Spitalit, sipas këtij institucioni, duhet të paraqiten pacientët pas vlerësimit dhe udhëzimit nga mjeku familjar, si dhe personat që përballen me urgjenca mjekësore, si aksidente, trauma të rënda, dhimbje akute të kraharorit dhe vështirësi të rënda në frymëmarrje. /Telegrafi/

