Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka përfunduar me sukses stërvitjen shumëkombëshe “Drawn Sabre”, e cila është zhvilluar në kampin “Sparta”, në Deçan.
Sipas njoftimit të KFOR-it, stërvitja është organizuar nga Komanda Rajonale Perëndim (RC-W) dhe ka përfshirë personel dhe pajisje nga disa kontingjente dhe njësi të misionit, raporton lajmi.net.
Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë pjesëtarë të Komandës Rajonale Perëndim, Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it dhe Batalionit të Inteligjencës, Vëzhgimit dhe Zbulimit (ISR).
Gjatë stërvitjes janë simuluar situata të kontrollit të turmave dhe trazirave, përmes skenarëve realistë dhe sfidues, me qëllim testimin e gatishmërisë së forcave për t’iu përgjigjur situatave të mundshme të sigurisë.
Po ashtu, janë ushtruar procedurat e evakuimit mjekësor emergjent (MEDEVAC), në koordinim me strukturat përkatëse mjekësore të KFOR-it.
“Duke punuar së bashku si një ekip, kontingjentet pjesëmarrëse kanë standardizuar procedurat, kanë forcuar bashkëpunimin ndërmjet njësive të KFOR-it dhe kanë ruajtur standarde të larta operacionale”, thuhet në njoftimin e misionit./Lajmi.net/

