Ish-futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Redi Jupi, ka komentuar situatën e Kosovës në emisionin “Procesi Sportiv”, duke vlerësuar potencialin.
Jupi theksoi se Kosova e nisi shumë mirë rrugëtimin e saj, duke krijuar pritshmëri për një nivel edhe më të lartë të paraqitjeve. Sipas tij, përfaqësuesja kosovare ka futbollistë cilësorë dhe një sistem loje që i pëlqen, veçanërisht për qasjen sulmuese, shkruan Indeksonline
“Potencialin Kosova e ka. Ka lojtarë cilësorë dhe një sistem loje që mua më pëlqen. Janë gjithmonë përpara për të sulmuar dhe kanë shumë lojtarë në aspektin ofensiv”, u shpreh Jupi.
Megjithatë, ai vuri në dukje se në ndeshjet e fundit diçka nuk po funksionon siç duhet, duke theksuar se loja e Kosovës është bërë më e parashikueshme dhe skuadra duket se po has vështirësi për të gjetur alternativa në fushë.
“Çuditërisht, kohët e fundit ka diçka që nuk po funksionon siç duhet. Ekipi është shumë i lexueshëm. Duket sikur nuk ka shumë zgjidhje”, deklaroi ai.
Komentet e Jupit vijnë në prag të përballjes së Kosovës me Irlandën, në ndeshjen e fundit të saj në UEFA Nations League, ku “Dardanët” synojnë ta mbyllin këtë edicion me një paraqitje pozitive./Indeksonline/

