KORREKT / SOT17 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Bota

Trumpi do ta nisë udhëtimin në Azi me bisedime në Manila, para vizitës në Kinë

Trumpi do ta nisë udhëtimin në Azi me bisedime në Manila, para vizitës në Kinë

Presidenti amerikan Donald Trump mbërrin të martën në Filipine, në përmbyllje të një samiti të vendeve të Azisë Juglindore. Atje, ai mund të përballet me protesta, pikërisht në prag të takimit të parë pas dy vitesh të liderëve të grupit "Quad", që përbëhet nga vende të rajonit Indo-Paqësor.

Udhëtimi i Trumpit në Azi – i cili përfshin forumin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Shenzhen dhe një takim trepalësh shumë të pritur me homologët e tij kinezë dhe rusë – vjen pas humbjes së Partisë së tij Republikane në zgjedhjet e mesmandatit. Situata komplikohet më tej nga akuzat për spiunazh, si dhe nga kufizimet e reja të SHBA-së ndaj qasjes së Kinës në çipat e inteligjencës artificiale (AI) – zhvillime këto që mund të cënojnë armëpushimin e brishtë në luftën tregtare, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Në Manila mund të ketë protesta kundër vizitës së Trumpit, pas disa ditësh demonstrata gjatë të cilave u dogjën figura simbolike të presidentit dhe u bënë thirrje për t'i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme, si dhe për të hequr dorë nga nisma "Pax Silica" – një zinxhir furnizimi i udhëhequr nga SHBA-ja.

Takimi i grupit "Quad" – që përfshin SHBA-në, Japoninë, Australinë dhe Indinë – do të jetë i pari për Trumpin. Ai zhvillohet dy vjet pas takimit të fundit të këtij grupi, një nismë që paraardhësi i tij, Joe Biden, e konsideronte si një nga shtyllat kryesore të politikës së jashtme.

Takimi zhvillohet para samitit të APEC-ut, të organizuar nga presidenti kinez Xi Jinping. Ky i fundit më herët e ka kundërshtuar "Quad"-in, duke e parë atë si një përpjekje për të rrethuar Pekinin. Nga ana tjetër, anëtarët e "Quad"-it kanë deklaruar se ky grupim nuk është i drejtuar kundër asnjë vendi të veçantë.

Gjatë samitit të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) të hënën, kryeministri kinez Li Qiang vlerësoi arritjet ekonomike të Kinës dhe ASEAN-it – të cilat i quajti "vërtet të jashtëzakonshme" – pavarësisht kufizimeve tregtare globale. Ai theksoi angazhimin e Pekinit ndaj tregtisë së lirë dhe nevojën për të "qëndruar të bashkuar, për të shmangur ndërhyrjet e jashtme dhe për të punuar së bashku".

Kina është partneri më i madh tregtar i ASEAN-it dhe një burim kyç investimesh; megjithatë, ekonomitë më të mëdha të këtij blloku prej 11 anëtarësh – i cili ka një PBB të përbashkët prej më shumë se 3,9 trilionë dollarësh – kërkojnë të thellojnë marrëdhëniet me SHBA-në, pavarësisht pasigurisë së zgjatur tregtare dhe diplomatike gjatë administratës Trump. Ish-zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Kurt Campbell, ia atribuoi kryediplomatit të Uashingtonit, Marco Rubio, meritën për përcaktimin e momentit dhe mbledhjen sërish të "Quad"-it, për të cilin tha se kishte humbur ambicien gjatë periudhës së Trumpit.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.