Drejtori i Institutit për Studime Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka vlerësuar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përpiqet ta mbulojë dëshpërimin politik me ironi dhe përçmim ndaj fituesve të zgjedhjeve në Serbi.
Në një analizë të publikuar në Facebook, Fetoshi ka komentuar videomesazhin e Vuçiqit, të publikuar më 15 nëntor, dy ditë para konstituimit të Kuvendit të ri, duke thënë se ai përmban mesazhe që synojnë delegjitimimin e fituesve të zgjedhjeve dhe mobilizimin e mbështetësve të tij politikë.
Sipas Fetoshit, Vuçiqi, përmes ironisë, ka përqeshur të nominuarin për kryetar të Kuvendit, Aleksandar Çupiq, duke bërë paralele me zhvillimet politike të vitit 2000 dhe duke iu referuar “marrëzive” që do ta rrotullonin Nikolla Pashiqin në varr.
Fetoshi ka theksuar se Vuçiqi i ka cilësuar fituesit e zgjedhjeve si “llum shoqëror”, ndërsa qytetarët serbë që i konsideron “normalë dhe të ndershëm” i ka ftuar për forcë dhe unitet, me qëllim që kundërshtarët politikë t’i kthejnë “atje ku e kanë vendin”.
Sipas drejtorit të Institutit “Octopus”, kjo qasje paraqet një përmbysje propagandistike, përmes së cilës fituesit e zgjedhjeve portretizohen si “gënjeshtarë e hakmarrës”, ndërsa krijohet terren për mobilizim politik kundër tyre.
Ai ka identifikuar dy dimensione të videomesazhit të Vuçiqit: të parin si mekanizëm mbrojtës për ruajtjen e strukturave të pushtetit dhe të dytin si mjet presioni ndaj Listës Studentore.
“Komunikimi ironik dhe përçmues, duke e kornizuar humbjen si ‘eufori kalimtare’, nënkupton kthimin e ‘viktimizimit’ në mobilizim dhe mobilizimin në rikthim politik”, ka shkruar Fetoshi.
Ai ka vlerësuar se tallja me profesorin Çupiq nuk synon vetëm diskreditimin e tij personal, por edhe të modelit politik që përfaqëson Lista Studentore.
Në analizën e tij, Fetoshi ka argumentuar se dëshpërimi i Vuçiqit nuk lidhet vetëm me humbjen e zgjedhjeve, por edhe me rrezikun që, sipas tij, i kanoset mbijetesës së modelit politik që presidenti serb ka ndërtuar gjatë gati 15 vjetëve në pushtet.
Ai ka përmendur kontrollin mbi mediat dhe institucionet si elemente të këtij modeli, duke vlerësuar se demokratizimi i Serbisë mbetet i vështirë përderisa vazhdon politika e minimit të Kosovës dhe afërsia strategjike me Rusinë.
Fetoshi ka thënë se Vuçiqi në mesazhin e tij përdor edhe referenca historike dhe nacionaliste, përmes të cilave synon të krijojë perceptimin për ekzistencën e “armiqve të brendshëm” dhe të mobilizojë opinionin rreth një koncepti të caktuar të interesit kombëtar.
Ai ka paralajmëruar se Lista Studentore, si një formacion heterogjen, do të përballet me presion për mënyrën se si do t’i trajtojë çështjet e Kosovës dhe marrëdhëniet me Rusinë.
“Sa më shumë që do të fshihen prapa Kushtetutës së Serbisë dhe takimeve me Rusinë në emër të ‘interesit strategjik’, aq më pak do të ketë kuptim rotacioni i pushtetit në Serbi”, ka shkruar ai.
Në fund, Fetoshi ka përmendur edhe incidentin në Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, ku u interpretua kënga serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, duke e cilësuar atë si shembull të përdorimit të narrativave nacionaliste që, sipas tij, mund të shërbejnë për mobilizimin politik të SNS-së dhe përpjekjet e saj për rikthim në pushtet.
“Sepse, Kosova është testi dhe ‘studentët’ s’mund ta tejkalojnë ‘Goebbels-in’ e populizmit dhe strategjisë hibride serbe”, ka përfunduar Fetoshi./Telegrafi/

