Matt McEntegart ka rikthyer titullin e Hot Wheels Legends Tour në SHBA për herë të parë pas katër vjetësh. Automobili i tij i modifikuar, një Chevrolet El Camino i vitit 1979, fitoi çmimin kryesor në finalen botërore të mbajtur më 14 nëntor, duke lënë pas finalistët nga Indonezia, Italia dhe Kili.
Automobili, i pagëzuar me nofkën “SS Monte Mino”, tashmë do të dërgohet në studion e dizajnit të Mattel-it, ku do të shndërrohet në një model lodër në shkallën 1:64 dhe do të dalë në shitje në dyqane në mbarë botën, transmeton Telegrafi.
Projekti i McEntegart ndërthur elemente nga tri modele ikonike të Chevrolet-it. Ai përshtati karrocerinë e një El Camino në shasinë e modifikuar të një Corvette të vitit 2008, duke zgjatur bazën e rrotave për 12 inç dhe duke përfshirë detaje të dizajnit të Monte Carlo SS.
Nën kapak ndodhet një motor V8 i modifikuar i Chevrolet-it, me hyrje ajri të ekspozuara dhe disa përmirësime për performancë më të lartë. Sistemi i personalizuar i pezullimit me ajër e ul karrocerinë shumë pranë tokës, mbi rrota 22-inçëshe, duke i dhënë automjetit një pamje të veçantë.
Ted Wu, drejtues i përgjithshëm i Mattel-it dhe përgjegjës global për automjetet dhe setet e ndërtimit, vlerësoi punën e realizuar nga fituesi.
“Automobili El Camino i Mattit u dallua për dizajnin e guximshëm dhe mjeshtërinë e punimit. Jemi të nderuar që projektin e tij pasionant do ta shndërrojmë në një model zyrtar Hot Wheels, për t’u luajtur dhe koleksionuar nga fansat në mbarë botën”, deklaroi Wu.
Për realizimin e automjetit, McEntegart krijoi prototipe prej shkume dhe ndërtoi vetë kallëpet për prodhimin e paneleve të gjera të karrocerisë. Automobili është lyer në ngjyrë bordo dhe ka detaje prej karboni të farkëtuar me nuancë të kuqe.
Edhe pjesa e brendshme ndërthur elemente të tapicerisë së viteve 1980 me komandat moderne të Corvette-s, të gjitha të montuara me dorë nga vetë McEntegart.
Rrugëtimi i tij drejt titullit nisi në Tampa, ku El Camino fitoi garën lokale. Më pas, automobili kaloi në fazat rajonale të Amerikës së Veriut. Edicioni i vitit 2026 i Hot Wheels Legends Tour përfshiu gjithsej 19 shtete, mes tyre 12 gara në Amerikën e Veriut, duke tërhequr mijëra projekte të modifikuara.
Fituesit rajonalë nga Amerika e Veriut, Evropa, Lindja e Mesme dhe Afrika, Amerika Latine dhe rajoni Azi-Paqësor u përballën në finalen globale.
Mes finalistëve ishte edhe indoneziani Sandranto Hertanu, me një Morris Mini Van të vitit 1961, të shndërruar në një kamionçinë të personalizuar. Italia u përfaqësua nga Andrea Cionco, i cili kishte modifikuar një Mazda MX-5 të vitit 1990 me zgjerime të karrocerisë të frymëzuara nga dizajni japonez.
Ndërsa nga Kili garoi Andres Romero Maureira me një Chevrolet Salaya SP të vitit 1992, makinë garash e pajisur me motor V8 me 450 kuaj fuqi. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk arriti të tejkalonte rezultatin e El Camino-s së McEntegart.
Secili finalist kishte kaluar nëpër garat lokale dhe një proces përzgjedhjeje të zhvilluar nga dizajnerët e Hot Wheels dhe ekspertët rajonalë të automobilizmit.
Gara Legends Tour është zgjeruar ndjeshëm që nga nisja në vitin 2018, kur ishte një aktivitet i kufizuar në SHBA dhe i lidhur me organizimet e Walmart-it për 50-vjetorin e Hot Wheels.
Ndër fituesit e mëparshëm globalë janë modeli i vogël “Texas Toot”, i shpallur fitues në vitin 2022, dhe Fiat 126P i modifikuar për gara rally nga Polonia, që fitoi në vitin 2025.
Sipas Mattel-it, fitorja e McEntegart shënon rikthimin e parë të një përfaqësuesi amerikan në vendin e parë që nga triumfi i vitit 2022. /Telegrafi/

