Lajmi i rëndë për vdekjen tragjike të dy të rinjve nga Komuna e Rahovecit në një aksident komunikacioni në Gjermani ka pikëlluar thellë mbarë qytetin. Bëhet fjalë për Leart Morinën nga fshati Sopniq dhe Berhan Zekën nga Pataqani i Poshtëm, jeta e të cilëve u këput në mes në mërgim.
Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, ka reaguar i pari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili përmes një telegrami ngushëllimi ka ndarë dhimbjen me të afërmit e viktimave.
Latifi ka shprehur solidaritetin e tij personal dhe të institucionit që drejton, duke u qëndruar pranë familjeve Morina dhe Zeka në këto orë të vështira zie.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen tragjike të dy të rinjve tanë, Leart Morinës nga Sopniqi dhe Berhan Zekës nga Pataqani i Poshtëm. Në emrin tim personal dhe në emër të Komunës së Rahovecit, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve Morina dhe Zeka, të afërmve dhe miqve të tyre”, thuhet në reagimin e kreut të Rahovecit.
Mesazhin e tij prekës, Latifi e ka përmbyllur me fjalët: “Learti dhe Berhani pushofshin në paqe!”.

