Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës “Isa Grezda” ka dhënë detaje lidhur me pragosjen e tre personave që ka ndodhur sot në këtë qytet, gjatë një grabitjeje me armë zjarri që ka ndodhur në një objekt afarist.
Nga ky spital kanë njoftuar se rreth orës 17:10, në Emergjencë janë sjellë tre persona, një mashkull dhe dy femra.
“Pacienti i gjinisë mashkullore ka pësuar lëndim me armë zjarri në gishtin e parë të këmbës së djathtë. Pas ekzaminimit radiologjik (RTG), është evidentuar prania e një trupi të huaj në këmbën e djathtë. Pacienti është pranuar për trajtim spitalor. Gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, te dy personat e gjinisë femërore nuk janë konstatuar lëndime traumatike.
“Ato kanë qenë të shqetësuara nga ngjarja dhe, pas trajtimit të nevojshëm, janë liruar. Sipas informacioneve të marra më vonë, rasti lidhet me një plaçkitje në Çarshinë e Madhe të Gjakovës. Për rrethanat e ngjarjes, publiku duhet t’u referohet njoftimeve të organeve kompetente.”, thuhet në njoftim. /Klankosova.tv

