Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e mbrojtjes, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe Irfan Lipovica, Hafiz Gara e Ridvan Muharremi.
Apeli këtë vendim e ka marrë më 13 nëntor të këtij viti në rastin e njohur të rezervave shtetërore.
Ish-ministrja Hajdari, ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”.
Ndërsa, afaristin Ridvan Muharremi i njohur si “Ridi”, PSRK-ja po e akuzon për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas Apelit, vendimin e së cilit e ka siguruar Klan Kosova, ekziston dyshimi i bazuar mirë se Hajdari dhe të tjerët i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës prej 2.912.134.28 euro.
"Ekziston dyshimi i bazuar mirë, se si pasojë e veprimeve të kundërligjshme të të pandehurve, të përshkruara si në aktakuzën e Prokurorisë, buxhetit të Republikës së Kosovës i është shkaktuar dëm financiar në shumën e përgjithshme prej 2.912.134,28 euro.", thuhet në vendim.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit me të cilin janë refezuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, ndaj aktvendimit të Themelores për vërtetimin e aktakuzës së PSRK-së, thuhet se nuk janë evidentuar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale e as shkelje të Ligjit Penal.
Sipas Apelit, aktvendimi i Themelores është i drejtë dhe i bazuar në ligj.
Po ashtu, në vendim thuhet se gjykata e shkallës së parë e ka arsyetuar në mënyrë të mjaftueshme ekzistimin e dyshimit të bazuar mirë në raport me veprat penale dhe të pandehurit.
Ndër tjerash, thuhet se Kolegji i Apelit, ka vërejtur se në aktvendimin e ankimuar, shkalla e parë ka theksuar edhe provat mbi të cilat e ka mbështetur konstatimin lidhur me gjetjet për ekzistimin e dyshimit të bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer vperat penale për të cilat ngarkohen.
Sipas Apelit, pretendimi i mbrojtjes se provat e mbledhura nuk përbëjnë bazë të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë ndaj të pandehurve është i pabazuar, pasi që nga provat e paraqitura në aktakuzë rezulton se ky standard është përmbushur.
Po ashtu, kolegji i Apelit nuk ka gjetur se ndonjëra nga provat mbi të cilat mbështetet aktakuza është marrë në kundërshtim me ligjin apo se gjatë mbledhjes së tyre janë shkelur dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, si dhe nuk ka identifikuar ndonjë provë të papranueshme që do të duhej të përjashtohej nga procedura.
Në vendimin e Apelit, thuhet se përkundër faktit që me Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 26 shkurt 2022, ishte vendosur përjashtimi nga procedurat e prokurorimit publik, blerja e produketeve për rezervat shtetërore dhe klasifikimi i lëndës së kontratës si “sekret”, natyra e kësaj procedure duhet të vlerësohet në kontekst të dipozitave të Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, e që sipas nenit 19 të këtij ligji, furnizimi me mallrat e parapara në Programin Vjetor realizohet përmes proceudrave të prokurimit publik, ndërsa neni 20 përcakton se blerja e artikujve për rezervat shtetërore duhet të bëhet përmes procedurave të hapura të prokurimit publik.
Ndërkaq, theksohet se neni 9 përcakton se sekret shtetëror konsiderohen vetëm Plani Strategjik, Programi Vjetor dhe vendndodhja e rezervave shtetërore.
Andaj, sipas Apelit, sigurimi dhe qasja në këto dokumente nga Prokuroria dhe Policia si dhe shqyrtimi i tyre nga gjykata në kuadër të procedurës penale, nuk përbëjnë në asnjë mënyrë cenim të sekretit shtetëror apo zbulim të paautorizuar të informacionit të klasifikuar.

