KORREKT / SOT16 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Bota

Ministrat e BE-së kërkojnë reagim të përbashkët ndaj sulmeve ruse që po shtrihen përtej Ukrainës

Ministrat e BE-së kërkojnë reagim të përbashkët ndaj sulmeve ruse që po shtrihen përtej Ukrainës

Ministrat e Jashtëm të Rumanisë, Estonisë dhe Suedisë kanë bërë thirrje për një reagim të bashkuar evropian ndaj kërcënimeve në rritje nga Rusia, nga sulmet me dronë në Detin e Zi deri te aktet e dyshuara të sabotimit.

Thirrja vjen në kohën kur Bashkimi Evropian po shqyrton rolin e tij në negociatat e ardhshme për paqe në Ukrainë, transmeton Telegrafi.

Tre ministrat kërkuan një përgjigje të vendosur dhe të koordinuar ndaj pushtimit rus të Ukrainës, i cili po i afrohet përvjetorit të pestë, ndërsa aktivitetet armiqësore të Moskës po shtrihen gjithnjë e më shumë edhe në territorin evropian.

Ministri i Jashtëm i Rumanisë, Dan Neculăescu, tha se do të kërkojë koordinim më të ngushtë mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian për shkak të përshkallëzimit të situatës në brigjet rumune të Detit të Zi.

“Kemi pasur katër alarme brenda 24 orëve dhe tri anije janë goditur gjatë fundjavës. Kjo është e papranueshme”, deklaroi ai para takimit të së hënës, në të cilin do të diskutoheshin mbështetja për Ukrainën, zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe situata gjithnjë e më e rrezikshme në Detin e Zi.

“Do t’u kërkoj kolegëve dhe ministrave të tjerë që të vazhdojnë të kontribuojnë me kapacitete në Rumani”, shtoi Neculăescu.

Të dielën, tre anije u goditën nga dronët pranë kanalit të Sulinës në Rumani, një rrugë e rëndësishme detare që lidh Danubin me Detin e Zi dhe përdoret nga Ukraina për eksportimin e mallrave.

Nuk pati të lënduar, ndërsa ekuipazhet arritën t’i shuanin zjarret që shpërthyen në bord, bëri të ditur ministri rumun i Mbrojtjes, Stefan Radu Oprea.

Neculăescu tha se gjatë takimit do t’i informojë homologët edhe për Qendrën e Sigurisë Detare në Detin e Zi, krijimi i së cilës po përshpejtohet me synimin që të jetë funksionale deri në vitin 2027. Qendra pritet të identifikojë kërcënimet detare, përfshirë dronët dhe sulmet ndaj kabllove nënujore.

Në takimin ministror pritet të vazhdojnë edhe diskutimet e javës së kaluar lidhur me qëndrimet që do të përfaqësojë i dërguari evropian në negociatat për armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës, si dhe mandatin që do t’i jepet.

Pas një takimi joformal në Dublin të premten, udhëheqësit evropianë ranë dakord që në negociatat e ardhshme Evropën ta përfaqësojnë pesë vende: Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia dhe Polonia, së bashku me përfaqësues të Këshillit Evropian dhe NATO-s.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, shkroi në platformën X se incidenti i fundit i tentativës për sabotim ndaj kompanisë Threod Systems, për të cilin autoritetet e sigurisë në Estoni fajësuan shërbimin rus të inteligjencës ushtarake GRU, është një tjetër dëshmi se aktivitetet armiqësore të Rusisë shtrihen shumë përtej Ukrainës.

“Estonia po përgatitet të mbyllë pikat e kalimit kufitar rrugor me Rusinë si përgjigje. Veprimet armiqësore duhet të kenë pasoja”, shkroi ai.

Tsahkna tha se reagimi evropian ndaj luftës hibride duhet të mbështetet në të njëjtat parime që do të zbatohen për të dërguarin evropian në negociatat për Ukrainën.

“Gati pesë vjet më vonë, Putini vazhdon të bëjë të njëjtat kërkesa si në vitin 2021, duke u përpjekur të diktojë marrëveshjet e sigurisë së Evropës. Nuk mund ta lejojmë që përmes negociatave të paqes të arrijë atë që nuk ka mundur ta sigurojë në fushëbetejë”, deklaroi ai.

Edhe ministrja e Jashtme e Suedisë, Maria Malmer Stenergard, tha për Euronews se shtimi i incidenteve të luftës hibride pasqyron frustrimin e Kremlinit, pasi Rusia, sipas saj, nuk po arrin fitore në Ukrainë.

“Prej gati pesë vjetësh po përpiqen ta pushtojnë Ukrainën. Kanë dështuar”, tha ajo, duke shtuar se tani është e rëndësishme që Evropa të jetë e bashkuar dhe qytetarët e saj të jenë të përgatitur për t’u përballur me kërcënimet.

“Suedia ka shpenzuar shumë më tepër për mbrojtjen civile, në mënyrë që të sigurohet që njerëzit të jenë të përgatitur dhe të vetëdijshëm”, përfundoi Stenergard. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.