Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar statistikat e energjisë për muajin shtator 2026, sipas të cilave prodhimi bruto i energjisë elektrike nga era dhe ajo solare është rritur për 96.23% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas ASK-së, prodhimi bruto i energjisë elektrike nga këto burime në shtator arriti në 38.16 gigavat-orë (GWh).
Ndërkaq, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 467.69 GWh, që paraqet rritje prej 4.42% krahasuar me shtatorin e vitit 2025.
Edhe konsumi i energjisë elektrike ka shënuar rritje. Në shtator 2026, konsumi arriti në 386.10 GWh, apo 10.74% më shumë se në të njëjtin muaj të vitit paraprak.
ASK ka bërë të ditur se pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në konsumin e përgjithshëm ishte 11.20%.
Sa i përket tregtisë së energjisë elektrike, importi gjatë këtij muaji ishte 308.37 GWh, ndërsa eksporti arriti në 274.23 GWh, ku kjo sasi përfshin edhe energjinë e transmetuar.
Ndërkohë, prodhimi i thëngjillit në shtator 2026 ishte 509 mijë e 853 tonë, duke shënuar rënie prej 1.12% krahasuar me shtatorin e vitit 2025.

