Juventusi është në ankth për gjendjen fizike të Edon Zhegrovës, i cili ka pësuar një lëndim gjatë grumbullimit me Kombëtaren e Kosovës.
Sipas raportimit të gazetës italiane “Tuttosport”, klubi torinez është në pritje të rezultateve të ekzaminimeve mjekësore, të cilat do të përcaktojnë seriozitetin e lëndimit të futbollistit kosovar.
Zhegrova është liruar nga grumbullimi i Dardanëve dhe nuk do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda për ndeshjen e së martës ndaj Irlandës në Dublin.
Anësori kosovar pritet të rikthehet në Torino, ku do t’u nënshtrohet kontrolleve të detajuara nga stafi mjekësor i Juventusit.
Rezultatet e ekzaminimeve do të përcaktojnë nëse Zhegrova do të ketë nevojë vetëm për pushim apo për trajtim të mëtejshëm, si dhe kohën e mundshme të rikuperimit.
“Tuttosport” thekson se ky zhvillim është një tjetër lajm shqetësues për Juventusin, që tashmë po përballet me mungesa të shumta për shkak të lëndimeve.
Për momentin, mbetet e paqartë sa kohë mund të qëndrojë jashtë fushave Zhegrova, ndërsa te “Zonja e Vjetër” shpresojnë që lëndimi i tij të mos jetë serioz.

