Trajneri i Interit, Cristian Chivu, është shpallur trajneri më i mirë i Serie A për sezonin 2025/26, duke fituar çmimin prestigjioz “Panchina d’Oro”.
Rumuni e fitoi këtë vlerësim për herë të parë në karrierën e tij, pas një sezoni të jashtëzakonshëm në drejtimin e Interit, me të cilin arriti të fitojë titullin e kampionit të Italisë dhe Kupën e Italisë në sezonin e tij të parë të plotë si trajner në elitën e futbollit italian.
Chivu doli para Cesc Fabregasit, i cili u rendit i dyti, ndërsa Gian Piero Gasperini përfundoi në pozitën e tretë. Fituesi u përcaktua përmes votave të trajnerëve të kategorive përkatëse të futbollit italian, ndërsa ceremonia u mbajt në Coverciano.
Pas marrjes së çmimit, Chivu falënderoi kolegët, klubin, futbollistët dhe stafin, duke theksuar se lojtarët janë ata që i shndërrojnë idetë e trajnerit në rezultate.
“Është gjithmonë e veçantë të marrësh një çmim të dhënë nga kolegët. Falënderoj sektorin teknik, trajnerët, klubin tim, lojtarët dhe stafin. Lojtarët janë ata që i shndërrojnë idetë tona në rezultate. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, dua të falënderoj familjen time, e cila më mbështet gjithmonë kur fitoj, por sidomos kur humbas”, deklaroi Chivu.
Chivu u emërua në stolin e Interit në verën e vitit 2025, duke zëvendësuar Simone Inzaghin, ndërsa tashmë ka fituar një nga vlerësimet më të rëndësishme individuale për trajnerët në futbollin italian.

