Joao Felix mund të detyrohet të rikthehet te Chelsea në verën e vitit 2027, pasi një klauzolë në kontratën e tij me Al-Nassr e komplikon planin për t’u larguar nga Arabia Saudite dhe për t’iu bashkuar sërish Barcelonës.
Sulmuesi portugez, 27-vjeçar, kishte shpresuar që pas përfundimit të kontratës me klubin saudit, në verën e vitit 2027, të rikthehej në futbollin evropian, me Barcelonën si destinacionin e tij të preferuar.
Megjithatë, sipas raportimeve të mediumit saudit Arriyadiyah, në marrëveshjen e nënshkruar në verën e vitit 2025 ekziston një klauzolë që mund të ndryshojë tërësisht planet e tij për të ardhmen.
Kontrata e Felixit përmban një mundësi vazhdimi automatik edhe për dy sezone të tjera, deri në qershor të vitit 2029, nëse Al-Nassr nuk njofton paraprakisht se nuk dëshiron ta mbajë futbollistin në skuadër.
Klubi saudit ka afat deri më 1 qershor 2027 për të marrë vendimin për të ardhmen e sulmuesit portugez. Në rast se vendos të mos e aktivizojë vazhdimin e kontratës, Felix do të duhet të rikthehet te Chelsea, me të cilin, sipas raportimit, ka marrëveshje deri në vitin 2031.
Një tjetër detaj i rëndësishëm është se vendimi për ndërprerjen e bashkëpunimit kërkon edhe pëlqimin e futbollistit. Al-Nassr mund të heqë dorë nga dy vitet shtesë pa paguar dëmshpërblim, por as portugezi nuk mund të largohet në mënyrë të njëanshme pa miratimin e klubit.
Kjo marrëveshje ka edhe ndikim financiar, pasi transferimi i tij nga Chelsea te Al-Nassr u realizua fillimisht për 30 milionë euro, ndërsa shuma mund të arrijë në 50 milionë euro nëse futbollisti qëndron deri në vitin 2029.
Këto kushte kontraktuale përbëjnë një pengesë të madhe për planet e Felixit, i cili synonte të rikthehej në futbollin evropian pas përfundimit të aventurës në Arabinë Saudite.
Barcelona mbetet destinacioni i tij i preferuar, pasi portugezi kishte luajtur në formë huazimi te gjiganti katalunas gjatë sezonit 2023/24.
Në atë periudhë, ai zhvilloi 44 ndeshje në të gjitha garat, duke realizuar 10 gola dhe dhënë gjashtë asistime.
Plani i sulmuesit ishte që në qershor të vitit 2027, pas përfundimit të kontratës me Al-Nassr, të ishte i lirë të shqyrtonte ofertat dhe të vendoste për të ardhmen pa pasur nevojë që klubi i interesuar të paguante një shumë transferimi.
Megjithatë, klauzola e zbuluar së fundmi e vështirëson ndjeshëm këtë skenar. Nëse kontrata vazhdon deri në vitin 2029, Barcelona do të detyrohej të negocionte me klubin që zotëron të drejtat e futbollistit, duke e bërë operacionin shumë më të komplikuar.
Ndërkohë, Al-Nassr po shqyrton edhe mundësinë e përmirësimit të kushteve financiare për ta bindur Felixin të qëndrojë në skuadër edhe për dy sezone të tjera.
Sipas raportimit, propozimi i klubit saudit parasheh rritjen e pagës vjetore nga 10 në 12.5 milionë euro gjatë periudhës së re kontraktuale.
Paraqitjet e tij kanë qenë një prej arsyeve kryesore që drejtuesit e Al-Nassr dëshirojnë ta mbajnë në skuadër. Gjatë sezonit të kaluar, portugezi regjistroi 26 gola dhe 18 asistime në 47 paraqitje, ndërsa në edicionin aktual ka realizuar shtatë gola dhe ka dhënë 10 asistime në 14 ndeshje.
Hapi i radhës pritet të jetë zhvillimi i bisedimeve mes drejtuesve të Al-Nassr dhe përfaqësuesit të futbollistit, Jorge Mendes.
Vendimi përfundimtar duhet të merret para 1 qershorit 2027, kur do të përcaktohet nëse Felix do të vazhdojë kontratën në Arabinë Saudite deri në vitin 2029 apo do të lejohet të rikthehet te Chelsea.
Kjo çështje do të jetë vendimtare edhe për Barcelonën, e cila mund të humbasë mundësinë për ta rikthyer portugezin pa shpenzuar para për kartonin e tij. /Telegrafi/

