Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër pas anulimit të takimit në Athinë, ku ishte planifikuar të diskutoheshin çështjet lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Përmes një postimi, Rama ka ngritur shqetësimin për anulimin e takimit nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare, duke iu referuar njoftimit zyrtar të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Sipas arsyetimit të paraqitur në njoftim, anulimi ka ardhur si pasojë e mungesës së përgjigjeve, obligimeve të papërmbushura dhe moskonfirmimit të delegacionit brenda afatit të përcaktuar.
Rama ka kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti, duke kërkuar që ata të japin llogari menjëherë për situatën e krijuar.
Ai e ka cilësuar këtë zhvillim si skandal dhe turp për shtetin, duke paralajmëruar për rrezikun e humbjes së një mundësie historike për Kosovën dhe kryeqytetin.

