Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraqija dhe pesë të arrestuarve tjerë në aksionin kundër trafikimit të kokainës, Jeton Stanovci, Gëzim Feka, Arjanit Beqiri, Albana Xhemajli-Ramadani dhe Alban Maloku.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, sipas së cilës, të pandehurit Jeton, Gëzim, Arjanit, Baftije, Albana, Astrit, Mergim, Albert dhe Alban, dyshohen se më parë e në vazhdimësi deri më 14 nëntor 2026, në zona të ndryshme të territorit të Prishtinës, si anëtarë të grupit, në bashkëpunim edhe me persona tjerë ende të paidentifikuar, duke i ndarë rolet mes vete, me dashje e me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, pa autorizim në kundërshtim me Ligjin për Barnat Narkotik, posedojnë, dorëzojnë, shesin dhe shpërndajnë substancë narkotike të llojit kokainë.
Sipas kërkesës, i pandehuri Jeton si kryesues i grupit, pasi që furnizohej me narkitikë nga të pandehurit, Mërgim (i cili ndodhet në arrati), Astrit dhe Alban, ku narkotikun fillimisht e ndanin me sasi të vogla e më pas ato sasi i pranonte Gëzim Feka, më pas sasinë e narkotikut të llojit kokainë Feka e mban një sasi vetë dhe një sasi ua jep dy anëtarëve tjerë Arjanit Beqirit dhe Albert Krasniqit, të cilët më pas substancën e tillë të ndarë në sasi të vogla e shpërndajnë tek personat tjerë, duke e shitur në doza të vogla, përmes veturave të marra me qira.
Kurse, e pandehura Baftije Feka, thuhet se kishte rol të ruajtjes së sasive të tilla të cilat i shiste bashkëshorti i saj Gëzimi, po ashtu mbante paratë e shitjeve.
Ndërkaq, për të pandehurën Albana thuhet se duke qenë edhe bashkëjetuese me të pandehurin Jeton, kishte rol të mbledhjes së parave të shitjes nga Gëzimi, Arijaniti dhe Alberti, ku kryesisht çdo të diele bënin barazimin e pagesave për sasitë e shitura dhe shpërndara, si dhe furnoheshin me sasi të rregullta për shpërndarje të mëtutjeshme javore.
Me këto, thuhet se si anëtarë të grupit dyshohen se kanë kryer veprësn penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, par.2 dhe neni 275, par.1, pika 1.1., 1.6., dhe 1.,9 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.
Në anën tjetër, i pandehuri Astrit Haraqija dyshohet se nga koha e pavërtetuar e deri më 15 nëntor 2026, në banesën e tij, me dashje e në kundërshtim me Ligjin për mbajtjen e armëve, ka poseduar një pistoletë, të cilën Policia gjatë bastisjes e gjeti dhe sekuestroi, bashkë me karikator dhe gjashtë fishekë. Për armën në fjalë, i pandehuri nuk kishte leje nga organi kompetent.
Me këtë, Haraqija dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.
Sipas Prokurorisë, fillimisht hetimet nisën për shitblerje të narkotikëve për të pandehurit Jeton Statovci, Gëzim Feka dhe Arjanit Beqiri, si dhe personave NN. Më pas, u autorizuan masat e veçanta, si rezultat i të cilave u idenfitikuan edhe të pandehurat Albana Xhemajli dhe Batfije Feka, kundër të cilave më 22 maj 2026 u mor aktvendim i ndryshuar përshtatshmërisht për fillimin e hetimeve, kurse më 27 korrik u mor aktvendim për zgjerimin e hetimeve edhe kundër Albert Krasniqit e Mërgim Stanovcit.
Prokuroria thekson se më 14 nëntor 2026, filloi zbatimin e kontrolleve dhe si rezultat i provave të grumbulluara, ka rezultuar me dyshimin e bazuar për përfshirjen edhe të të pandehurve Astrit Haraqija dhe Alban Maloku, për të cilët më 15 nëntor 2026 u lëshua aktvendim për zgjerimin e hetimeve.
Prokuroria vlerëson se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit, duke përfshirë: ekzistimin e dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, rrezikun e arratisjes, rrezikun e asgjësimit/ndryshimit të provave dhe ndikimit në dëshmitarë dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale.
Në kërkesë thuhet se nga zbatimi i masave të veçanta, shihet se i pandehuri Jeton Stanovci del nga objekti banesor, në të cilin banon edhe Astrit Haraqija e në cilin Jetoni, Mergimi dhe Astriti takoheshin duke përgatitur substancën narkotike të cilën thuhet se sillet Mergimmi, dhe aty e ndanin në sasi të vogla, më pas të njëjtën ia jepnin Gëzim Fekës për shitje dhe shpërndarje.
Sipas kërkesës, në banesën e të pandehurit Haraqija krahas armës, u sekuestruan edhe para dhe dy iPhone. Po ashtu, në dokument renditen edhe gjësendet që u gjetën dhe sekuestruan në banesat e të dyshuarve tjerë, përfshirë para, telefona, vetura, etj.
Në kërkesën e parashtruar nga prokurori Arben Hoti, thuhet se masat e tjera alternative në këtë rast vlerësohen si të pamjaftueshme për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.

