Qeveria e Kosovës ka vendosur shpalljen e masave emergjente për furnizimin me energji elektrike, për një periudhë prej 60 ditësh.
Masat synojnë të sigurojnë furnizim të qëndrueshëm me energji për qytetarët dhe ekonominë, në një kohë kur vendi po përballet me vështirësi në sektorin energjetik.
Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë, ka thënë se situata është vështirësuar për shkak të kufizimeve në kapacitetet prodhuese vendore dhe bllokimit të linjave të transmetimit të energjisë elektrike nga Serbia.
Masat e propozuara përfshijnë shfrytëzimin e kapaciteteve prodhuese të Hidrocentralit të Ujmanit, kursimin e energjisë elektrike nga institucionet publike dhe ndërmarrjen e masave të tjera sipas nevojës.
“Kosova, me kufizimet e kapaciteteve prodhuese vendore dhe bllokimin e linjave të transmetimit të energjisë elektrike nga ana e Serbisë, natyrisht se e ka situatën të vështirësuar. Prandaj, Ministria e Ekonomisë ka propozuar shpalljen e masave emergjente të energjisë për një periudhë dymujore, përkatësisht prej gjashtëdhjetë ditësh. Këto masa përfshijnë shfrytëzimin e kapaciteteve prodhuese të Hidrocentralit të Ujmanit për konsumatorët e shërbimit universal, ndërmarrjen e masave për kursimin e energjisë elektrike nga institucionet publike dhe masa të tjera që Qeveria mund të ndërmarrë sipas nevojës. Qëllimi ynë është të shfrytëzojmë në mënyrë sa më efikase kapacitetet ekzistuese dhe të zvogëlojmë rreziqet për furnizimin e qëndrueshëm të qytetarëve dhe ekonomisë sonë”, ka deklaruar Kurti, transmeton KP.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se Hidrocentrali i Ujmanit do të obligohet të prodhojë energji në periudhat kur kërkesa është më e lartë dhe atë t’ia shesë furnizuesit të shërbimit universal, për furnizimin e qytetarëve dhe ndërmarrjeve mikro dhe të mesme.
Po ashtu, do të themelohet një komitet teknik emergjent, i cili do ta monitorojë situatën dhe do t’i propozojë Qeverisë masa shtesë. Të gjitha institucionet publike do të obligohen të ndërmarrin hapa për kursimin e energjisë elektrike.
“Duke marrë parasysh këta faktorë dhe, në anën tjetër, vazhdimin e bllokimit të linjave nga ana e Serbisë, propozojmë shpalljen e masave emergjente që përfshijnë marrjen e disa masave të menjëhershme. Siç janë obligimi i Hidrocentralit të Ujmanit që të prodhojë në kohën kur kërkesa është më e lartë dhe t’ia shesë atë furnizuesit të shërbimit universal për qytetarët dhe ndërmarrjet mikro dhe të mesme. Po ashtu, parashihet themelimi i komitetit teknik emergjent, që monitoron situatën dhe propozon masa të tjera që mund t’i marrë Qeveria. Vendimi po ashtu obligon të gjitha institucionet publike të marrin masa për kursimin e energjisë elektrike gjatë kësaj periudhe”, ka deklaruar ajo.
Megjithatë, për hyrjen në fuqi të masave emergjente nevojitet edhe miratimi i Kuvendit të Kosovës.
Rizvanolli ka njoftuar gjithashtu për vonesa në rikthimin në funksion të njësisë B1 të Termocentralit Kosova B. Sipas saj, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, si autoritet kontraktues i projektit për riinstalimin e elektrofiltrave dhe reduktimin e oksideve të azotit, ka njoftuar për vonesa në realizimin e punimeve.
Rikthimi i kësaj njësie në operim ishte planifikuar për 25 nëntor, sipas kontratës ndërmjet BE-së dhe kompanisë kontraktuese.
Në të njëjtën mbledhje, Qeveria ka vendosur edhe për vendosjen e një obligimi të përkohshëm të shërbimit publik ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), për sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit të energjisë elektrike gjatë muajit dhjetor.
Ministrja Rizvanolli ka sqaruar se KEK-u do të obligohet të sigurojë të drejtat e përdorimit të një sasie të këtyre kapaciteteve për periudhën nga 1 deri më 31 dhjetor 2026.
Sipas saj, kjo masë synon të parandalojë rritjen e mundshme të kostove të kapaciteteve ndërkufitare, pasi gjatë periudhave të ngarkesës së lartë në linjat e transmetimit çmimet mund të rriten ndjeshëm.
Qeveria ka arsyetuar këto masa me nevojën për të përballuar vështirësitë në sektorin e energjisë dhe për të zvogëluar rrezikun e ndërprerjeve në furnizim.

