Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe.
Ramadani e ka cilësuar këtë vendim si të dyshimtë, duke ngritur dyshime për marrëveshjet e mëhershme të tregtimit të energjisë me Serbinë, si dhe për arsyet që, sipas tij, qëndrojnë pas këtij vendimi.
“Për një mandat të tërë e lanë Kosovën pa asnjë zgjidhje të qëndrueshme energjetike, ndërsa buxhetit të shtetit i u zhvaten miliona euro në kontrata e tregti të dyshimta. Sot, në momentin kur skandalet po u shpërthejnë në çdo sektor dhe vendi po rrezikon reduktime të ashpra të energjisë elektrike, po tentojnë ta fshehin dështimin e tyre në emër të “patriotizmit”, ka thënë Ramadani.
Reagimi i plotë i Ramadanit:
Vendimi i sotëm i Qeverisë për të ndaluar tregtimin e energjisë me kompanitë serbe është dyfish i dyshimtë:
• E para, po e pranojnë vetë me gojën e tyre se krejt çka kemi thënë tash e sa kohë për pazaret me rrymën e Serbisë dhe mafian energjetike ka qenë e vërtetë.
• E dyta, po e përdorin këtë si perde tymi për t’i arsyetuar ndaljet e rrymës dhe reduktimet që po na presin këtë dimër.
Për një mandat të tërë e lanë Kosovën pa asnjë zgjidhje të qëndrueshme energjetike, ndërsa buxhetit të shtetit i u zhvaten miliona euro në kontrata e tregti të dyshimta.
Sot, në momentin kur skandalet po u shpërthejnë në çdo sektor dhe vendi po rrezikon reduktime të ashpra të energjisë elektrike, po tentojnë ta fshehin dështimin e tyre në emër të “patriotizmit”.
Një vendim i vonuar nuk mund ta amnistojë koston e rëndë financiare që u është faturuar qytetarëve. Prandaj, duhet hetim i menjëhershëm dhe i paanshëm për të gjitha ato miliona të shpenzuara deri më sot.

