Dogana e Kosovës ka arkëtuar 1 miliard e 708 milionë euro të hyra gjatë periudhës janar–tetor 2026, duke shënuar rritje prej 5,7 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Sipas të dhënave zyrtare, të hyrat e realizuara në dhjetë muajt e parë të këtij viti kanë arritur në 1 miliard e 708 milionë e 243 mijë euro, përderisa në periudhën e njëjtë të vitit 2025 ishin 1 miliard e 615 milionë e 537 mijë euro.
Në vlerë absolute, kjo paraqet një rritje prej rreth 92.7 milionë eurosh në krahasim me vitin paraprak.
Rritje është regjistruar në të gjitha kategoritë kryesore të të hyrave. Taksa doganore ka shënuar rritje prej 6.6 për qind, akciza prej 1,8 për qind, ndërsa TVSH-ja ka regjistruar rritjen më të lartë, me 7,8 për qind.
Sipas Doganës së Kosovës, këto rezultate pasqyrojnë angazhimin në mbledhjen e të hyrave buxhetore, zbatimin e legjislacionit doganor dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit.
Rritja e të hyrave doganore vjen si rezultat i performancës së këtij institucioni gjatë periudhës raportuese, ndërsa të dhënat tregojnë se trendi i arkëtimit ka qenë pozitiv në të gjitha kategoritë kryesore fiskale.

