Australia, Kanadaja, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë bërë thirrje Izraelit që të lejojë pa vonesa hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, në kushtet e përkeqësimit të situatës humanitare dhe afrimit të sezonit të dimrit.
Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e Jashtëm të katër vendeve kanë kërkuar lejimin e hyrjes së rreth 150 mijë tendave dhe materialeve të tjera të nevojshme për strehimin e popullsisë së zhvendosur.
Sipas deklaratës, reshjet e dendura dhe përmbytjet e fundit kanë vështirësuar edhe më shumë jetesën e mijëra familjeve palestineze, të cilat po përballen me mungesë strehimi, ushqimi dhe furnizimesh bazë.
Katër shtetet kanë theksuar nevojën për hapjen e pikëkalimeve kufitare dhe garantimin e qasjes së papenguar të organizatave humanitare në territorin e Gazës.
Situata mbetet veçanërisht shqetësuese për fëmijët, të moshuarit dhe personat e zhvendosur, të cilët po përballen me kushte të rënda jetese, ndërsa mungesa e strehimit dhe e shërbimeve bazë rrit rreziqet për shëndetin dhe sigurinë e tyre.
Thirrja e përbashkët e Australisë, Kanadasë, Italisë dhe Britanisë së Madhe vjen në kuadër të presionit ndërkombëtar për përmirësimin e gjendjes humanitare në Gaza dhe garantimin e mbrojtjes së popullsisë civile.

