Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka riafirmuar synimin e Kosovës për t'u bërë anëtare e plotë e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.
Gjatë Konferencës së 48-të Ministrore të Frankofonisë, të mbajtur në Phnom Penh të Kamboxhias, Konjufca ka theksuar se Kosova ka vullnetin dhe kapacitetin për të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë që vijnë me anëtarësimin e plotë.
Përmes një postimi në X, ai ka falënderuar zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Kamboxhias, Prak Sokhonn, për organizimin dhe udhëheqjen e konferencës, si dhe për mikpritjen.
Konjufca ka folur edhe për rëndësinë e paqes, duke thënë se përvoja e Kosovës, e cila ndërtoi demokracinë pas luftës, e bën atë të përkushtuar ndaj dialogut dhe pajtimit.
“Historia jonë e ka formësuar përkushtimin tonë ndaj dialogut dhe bindjen se pajtimi i vërtetë kërkon të vërtetën dhe përgjegjësinë. Paqja e qëndrueshme duhet t'i ofrojë gjithashtu perspektivë të ardhmes së të rinjve tanë”, ka shkruar Konjufca./Klankosova.tv

