Vjeshta është në mes të saj, ndërsa nëntori shënon edhe nisjen e sezonit të aurorave polare. Magjia që krijojnë duke ndriçuar qiellin i bën aurorat ndër fenomenet natyrore më të bukura, ndër më të vrojtuarat dhe studiuarat.
Aurorat boreale, ose Dritat Polare Veriore, janë fenomene natyrore me dritë intensive në atmosferën e sipërme të Tokës, të shkaktuara nga grimcat e ngarkuara që vijnë nga Dielli dhe përplasen me atomet në atmosferë. Këto përplasje ndikojnë te oksigjeni dhe azoti, të cilët më pas lëshojnë dritë me ngjyra të ndritshme dhe intensive, kryesisht jeshile, të kuqe dhe në tonalitete të vjollcës.
Sipas kërkimeve të fundit, rezulton se çrregullimet magnetike të gjeneruara nga stuhitë diellore mund të arrijnë në sipërfaqen e Tokës në një kohë shumë të shkurtër, vetëm 7 minuta, për të gjeneruar dhe intensifikuar ngjyrimet e forta në qiell të aurorave polare.
Aurorat nuk krijohen vetëm në Tokë, por edhe në planetë të tjerë të Sistemit Diellor. Ky fenomen është vrojtuar me sondat Voyager 1 dhe 2 edhe në Jupiter, Saturn, Uran dhe Neptun. Po ashtu, edhe teleskopi hapësinor Hubble ka arritur të fotografojë formimet e aurorave në polet e Jupiterit. Ndryshe nga Toka, aurorat jashtëtokësore janë shumë më spektakolare, si pasojë e intensitetit të fushave magnetike të planetëve përkatës.
Viti 2026 konsiderohet si vit i jashtëzakonshëm për vrojtimin dhe admirimin e tyre, falë edhe maksimumit të ciklit diellor, që zgjat 11 vite dhe ndikon duke e bërë fenomenin më të shpeshtë dhe të dukshëm edhe në lartësi e zona gjeografike më të ulëta, dhe jo tradicionalisht vetëm në Polin e Veriut.
Aurorat krijohen kur grimcat e ngarkuara nga era diellore hyjnë në kontakt me jonosferën tokësore, në lartësi rreth 100 km.
Gjatë stuhive magnetike, rrymat e plazmës diellore zhvendosen drejt jugut, duke u përplasur me atomet e oksigjenit dhe azotit. Këto atome ngarkohen energjikisht tej mase, duke krijuar ngjyrat brilante të së gjelbrës kur përplasen me oksigjenin dhe të së kuqes e vjollcës kur është e pranishme azoti. Aurorat lëvizin në qiell dhe rrymat e ngjyrave i bënë shkencëtarët t’i etiketonin Aurora Borealis, nga latinishtja, që do të thotë aurorat veriore, por si fenomen verifikohet edhe në rajonet polare jugore.
Edhe kulturat antike të njerëzimit i vëzhgonin magjitë qiellore që krijonin aurorat, dhe popujt e lashtë, kryesisht vikingët dhe të gjitha popullsitë skandinave, i vishnin me kuptime shpirtërore e mitike. E njëjta gjë edhe për popullsitë indigjene autoktone të Australisë, ku verifikohen aurorat australis, pra të hemisferës jugore.
Nga mitologjia dhe kultura e tyre, aurorat ishin shpirtra hyjnorë.
Skandinavia është zona më e prekur dhe ku mund të admirosh aurorat më së shumti, me peizazhe të jashtëzakonshme, me bredha të mbuluar me borë, slita, drerë e piktura qiellore, pamje të cilat zgjojnë në mendje imagjinatën fëmijërore të përrallave e festave të fundvitit, dëshirave dhe Babagjyshit. Norvegjia e Finlanda janë vendet ku për muaj me radhë, duke nisur nga nëntori, mund të admirohen këto fenomene natyrore të mrekullueshme, duke u kthyer edhe në atraksion të jashtëzakonshëm turistik.

