Dhjetëra mijëra qytetarë po mblidhen të dielën në Pragë të Çekisë, për të protestuar kundër asaj që e konsiderojnë përpjekje të qeverisë për të kufizuar lirinë e mediave.
Protesta është organizuar kundër planit të qeverisë për heqjen e tarifave të detyrueshme të licencës, përmes të cilave financohen transmetuesit publikë, Televizioni Çek (Czech TV) dhe Radio Çeke (Czech Radio).
Organizatorët nga grupi “Million Moments for Democracy” kanë paralajmëruar se protesta mund të jetë një nga më të mëdhatë në historinë e vendit. Para tubimit, ata kishin parashikuar pjesëmarrjen e 400 mijë deri në 600 mijë personave në sheshin Letná, në Pragë.
Protesta përbën një tjetër sfidë për kryeministrin Andrej Babiš dhe koalicionin e tij qeverisës, të përbërë nga parti populiste, nacionaliste të së djathtës së ashpër dhe euroskeptike, raporton The Guardian.
Ajo vjen pas disa javësh demonstratash në qytete të ndryshme të vendit, si dhe një greve të punonjësve të Televizionit dhe Radios Çeke.
Protestuesit kundërshtojnë planin për heqjen e tarifave të licencës dhe financimin e mediave publike drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit. Sipas tyre, ky ndryshim do t’u jepte ministrave më shumë ndikim mbi redaksitë dhe do të rrezikonte pavarësinë editoriale të mediave.
Grupi organizator ka kritikuar qeverinë, duke thënë se ajo po injoron ekspertët, po tenton të heshtë kritikët dhe po i trajton institucionet demokratike sikur të ishin pronë e saj.
Ndryshimet e propozuara parashikojnë gjithashtu shkurtimin e buxheteve të televizionit dhe radios publike me rreth 15 për qind. Plani është kritikuar edhe nga organizata ndërkombëtare të mediave, përfshirë Unionin Evropian të Transmetuesve, Federatën Evropiane të Gazetarëve, Reporterët pa Kufij dhe Institutin Ndërkombëtar të Shtypit.
Këto organizata kanë tërhequr paralele me ndryshimet e ndërmarra në të kaluarën në Sllovaki dhe Hungari, ku qeveritë janë akuzuar për dobësimin e pavarësisë së mediave.
Ndërkaq, kryeministri Babiš i ka hedhur poshtë pretendimet se ndryshimet përbëjnë kërcënim për lirinë e mediave. Ai ka akuzuar kundërshtarët politikë se po përhapin pretendime të pabazuara për të nxitur opinionin publik.
Javën e kaluar, Babis publikoi një opinion ku i cilësoi si “shtatë gënjeshtra” pretendimet e opozitës lidhur me tarifat e licencës, të cilat aktualisht arrijnë në 205 korona çeke, apo rreth shtatë euro në muaj.
“Ne nuk do të ndërhyjmë në asnjë rrethanë në punën editoriale”, ka shkruar ai, duke mohuar se qeveria synon të marrë nën kontroll mediat publike.

