Avokati i ish-ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, Korab Bokshi, ka folur për lajmi.net lidhur me arrestimin e klientit të tij në kuadër të operacionit antidrogë “Heshtja”.
Bokshi ka bërë të ditur se Haraqija ka bashkëpunuar me Policinë gjatë intervistimit dhe i ka mohuar dyshimet për përfshirje në veprën penale që po hetohet.
Sipas avokatit, Policia ka bastisur edhe banesën e Haraqisë, por gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë inkriminuese që do ta ndërlidhte atë me rastin.
“E kanë bastisur banesën e tij, kanë bërë kontrolle, por nuk kanë gjetur asgjë inkriminuese për këtë vepër penale. E kanë ndaluar për 48 orë, unë kam bërë ankesë te gjyqtari, tash po presim”, ka deklaruar Bokshi për lajmi.net.
Ai ka shtuar se klienti i tij, si figurë publike, mund të ketë pasur raste të takohet me persona të përfshirë në këtë rast, por mohon çdo ndërlidhje me aktivitetin e dyshuar kriminal.
“Klienti im është figurë publike dhe mund të ketë pasur rast të takohet me ndonjërin prej personave të përfshirë në këtë rast, por ai drejtpërdrejt mohon komunikimet dhe ndërlidhjet me këtë vepër penale”, ka deklaruar Bokshi.
Haraqija është në mesin e gjashtë personave të arrestuar në operacionin “Heshtja”, të realizuar më 14 nëntor në rajonin e Prishtinës.
Gjatë aksionit, Policia e Kosovës sekuestroi rreth 1.6 kilogramë kokainë, rreth 16 mijë euro para të gatshme, gjashtë vetura dhe asete të tjera, vlera e përgjithshme e të cilave vlerësohet në rreth 301 mijë euro.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë. /Lajmi.net/

