Shpenzimet e familjeve në Zvicër janë rritur gjatë muajit tetor 2026, pavarësisht çmimeve të larta të energjisë dhe karburanteve, si dhe besimit të ulët të konsumatorëve në ekonominë e vendit.
Sipas të dhënave të publikuara më 13 nëntor nga PostFinance, shpenzimet konsumatore në Zvicër janë rritur për 1.6% në tetor, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Kjo paraqet rritje më të madhe sesa në muajt paraprakë, pasi në shtator konsumi ishte rritur për 0.9 për qind, ndërsa në gusht për 0.8%.
Rritja e shpenzimeve është vërejtur veçanërisht në qendrat e mëdha tregtare, ku qytetarët kanë shpenzuar më shumë për blerje. Po ashtu, është regjistruar rritje e dukshme e shpenzimeve për produkte të kafshëve shtëpiake, shkruan Cash.ch, transmeton Telegrafi.
Më shumë para janë shpenzuar edhe për aktivitete të kohës së lirë, përfshirë pajisjet sportive, aktivitetet fizike dhe hobet e ndryshme. Ndërkohë, shpenzimet për bukuri dhe mirëqenie kanë mbetur pothuajse të pandryshuara që nga muaji korrik, me rritje të blerjeve të produkteve kozmetike dhe trajtimeve estetike, por me rënie të shpenzimeve për veshmbathje.
Në anën tjetër, sektori i udhëtimeve ka shënuar rënie. Pas kulmit të shpenzimeve për udhëtime në muajin korrik, rezervimet e hoteleve kanë rënë dukshëm gjatë tetorit, ndërsa më pak para janë shpenzuar edhe për marrjen me qira të automjeteve.
Të dhënat e PostFinance bazohen në transaksionet anonime të rreth 2.4 milionë klientëve të kësaj banke dhe përdoren për të vlerësuar zhvillimin mujor të konsumit në Zvicër.
Raporti nxjerr në pah një kontrast në ekonominë zvicerane: qytetarët po shpenzojnë më shumë, por njëkohësisht mbeten të shqetësuar për gjendjen ekonomike, kryesisht për shkak të kostos së lartë të energjisë dhe karburanteve./Telegrafi/

