Ushtria e Bahreinit ka njoftuar se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë zmbrapsur disa sulme ajrore iraniane më 15 nëntor, pasi shpërthime dhe sirena alarmi u raportuan në të gjithë mbretërinë e Gjirit Persik.
Në anën tjetër, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) pretendoi se kishte shënjestruar një objekt ushtarak amerikan.
Sipas ushtrisë së Bahreinit, zmbrapsja e disa sulmeve iraniane ka ndodhur para se ato të arrinin objektivat e tyre, duke e akuzuar Teheranin se po vazhdon “qasjen e tij sistematike armiqësore” ndaj mbretërisë.
Ministria e Jashtme e Bahreinit tha se vendi kundërshton “shndërrimin e territorit të tij në një arenë për larjen e hesapeve” dhe e mbajti Iranin plotësisht përgjegjës për sulmet dhe pasojat e tyre.
Kurse, IRGC-ja e Iranit pretendoi se kishte lëshuar gjashtë dronë, të cilët kishin shënjestruar një sistem radar për mbrojtje ajrore të SHBA-së në bazën e helikopterëve Al-Riffa në Bahrein, sipas deklaratave të transmetuara nga mediat shtetërore iraniane.
Nuk ka ende konfirmim nga autoritetet amerikane apo ato të Bahreinit nëse instalimi i radarit ishte goditur.
Duke cituar gazetarët e saj në Bahrein, agjencia e lajmeve AFP raportoi se shpërthime u dëgjuan rreth orës 4:00 të mëngjesit sipas kohës lokale, të pasuara nga një seri tjetër shpërthimesh rreth orës 6:30. U dëgjuan gjithashtu sirena dhe autoritetet e Bahreinit lëshuan paralajmërime, duke u bërë thirrje banorëve të kërkonin strehim, pa specifikuar burimin e kërcënimit.
Ministria e Brendshme u bëri thirrje banorëve të ruanin qetësinë, të drejtoheshin drejt vendit më të afërt të sigurt dhe të ndiqnin kanalet zyrtare për informacione të mëtejshme.
Bahreini, ku ndodhet Flota e Pestë e Marinës amerikane, ka qenë ndër vendet e Gjirit të shënjestruara nga Irani gjatë konfliktit, i cili nisi më 28 shkurt me sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit.
Sulmi i raportuar më 15 nëntor ndodhi dy ditë pasi IRGC-ja tha se kishte shënjestruar një instalim radari amerikan për paralajmërim të hershëm në Bahrein.
Në atë kohë, ushtria amerikane tha se kishte zmbrapsur dy dronë iranianë që kishin shënjestruar ishullin, duke raportuar se nuk kishte viktima apo dëme materiale. Bahreini tani është shënjestruar dy herë brenda tri ditësh, pas një periudhe qetësie në sulme.
Zhvillimet e fundit vijnë në kohën kur po zhvillohen përpjekje diplomatike për t'i dhënë fund konfliktit gati nëntëmujor, të cilat ende nuk kanë prodhuar ndonjë përparim, pavarësisht një periudhe më të gjatë qetësie në luftime.
Irani ka kufizuar lundrimin përmes Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin global të naftës, dhe ka ndërmarrë sulme me raketa dhe dronë ndaj infrastrukturës ushtarake dhe civile në gjithë rajonin.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u ka thënë ditëve të fundit këshilltarëve të tij të lartë se mund të përmbahet nga sulmet e mëtejshme ndaj Iranit, nëse Teherani dhe luftëtarët Huthi në Jemen, të mbështetur nga Irani, shmangin provokimet e reja, raportoi agjencia Reuters.
Trump ka thënë gjithashtu se bllokada detare amerikane ndaj Iranit do të mbetet në fuqi.
Ndërkohë, ushtria e Arabisë Saudite tha më 15 nëntor se kishte zmbrapsur dy raketa balistike të Huthëve, të lëshuara në drejtim të Riadit, si dhe tre dronë në Provincën Lindore të mbretërisë, të pasur me naftë. /REL

