Chelsea po vëzhgon nga afër situatën e Jules Koundé-s te Barcelona, me synimin për ta transferuar mbrojtësin francez gjatë afatit kalimtar të janarit 2027.
Sipas raportimeve të mediave sportive, përfshirë TEAMtalk dhe Deportivo Mundo, Koundé është një nga objektivat kryesorë të londinezëve në rast se Malo Gusto largohet nga Stamford Bridge.
Situata e Gusto-s ka ndryshuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit. Mbrojtësi francez nuk është më zgjedhje e rregullt në formacionin e parë të trajnerit Xabi Alonso dhe, sipas raportimeve të BBC-së, është duke shqyrtuar mundësinë e largimit në janar. Ai nuk ka qenë titullar në Premier League për më shumë se dy muaj, ndërsa Josh Acheampong ka fituar terren në hierarkinë e skuadrës.
Pikërisht kjo situatë ka bërë që Chelsea të kërkojë alternativa në treg, ku emri i Jules Koundé-s është shfaqur në krye të listës.
Francezi shihet si një përforcim ideal për shkak të aftësisë për të luajtur si në qendër të mbrojtjes, ashtu edhe në krahun e djathtë.
Sipas raportimeve, drejtuesit katalanas janë të gatshëm të dëgjojnë oferta për Koundé-n, ndërsa edhe rrethi i futbollistit po shqyrton mundësitë për të ardhmen e tij.
Kujtojmë se Chelsea kishte tentuar ta transferonte Koundé-n edhe para se ai të bashkohej me Barcelonën nga Sevilla në verën e vitit 2022, por në atë kohë mbrojtësi zgjodhi klubin katalanas.
Që nga transferimi i tij në Camp Nou, francezi është shndërruar në një lojtar të rëndësishëm për Barcelonën, duke regjistruar rreth 196 paraqitje dhe duke fituar disa trofe me fanellën blaugrana./IndeksOnline/

