Dita Botërore e Librit e ka zanafillën në Spanjë, më saktësisht në Katalonjë, ku ekzistonte tradita e dhurimit të një trëndafili për çdo person që blinte një libër. Kjo traditë simbolike u bë pjesë e një feste që sot i kushtohet librit, autorëve dhe rëndësisë së leximit në mbarë botën.
Më 15 nëntor 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, 23 prilli u shpall zyrtarisht Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtave të Autorit. Kjo nismë u mbështet në rëndësinë historike të librit si një nga instrumentet më të fuqishme për përhapjen e dijes, ruajtjen e njohurive dhe pasurimin kulturor të shoqërive.
Data 23 prill u përzgjodh edhe për simbolikën e saj në historinë e letërsisë botërore. Më 23 prill 1616 u shënuan vdekjet e Miguel de Cervantesit, William Shakespeare-it dhe poetit Garcilaso de la Vega, i njohur si Inca. Kjo datë lidhet gjithashtu me lindjen ose vdekjen e disa figurave të tjera të rëndësishme letrare, përfshirë Maurice Druon, Halldór Laxness, Vladimir Nabokov, Josep Pla dhe Manuel Mejía Vallejo.
Përmes kësaj dite, UNESCO synon të nderojë librin dhe krijuesit e tij, të promovojë leximin dhe të inkurajojë veçanërisht të rinjtë të zbulojnë kënaqësinë e të lexuarit. Njëkohësisht, ajo rikujton kontributin e pazëvendësueshëm të shkrimtarëve dhe krijuesve në zhvillimin shoqëror, intelektual dhe kulturor të njerëzimit./KultPlus

