Sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak (SHMU), pjesa e parë e ditës do të karakterizohet nga kthjellime, ndërsa pas mesditës do të ketë shtim të vranësirave, të cilat do të bëhen mesatare deri të dendura.
Reshjet e shiut me intensitet të ulët pritet të nisin pas mesditës, fillimisht përgjatë vijës bregdetare dhe më pas të shtrihen gradualisht në pjesën tjetër të territorit.
Gjatë pasdites dhe mbrëmjes, në zonat veriore, veriperëndimore, perëndimore dhe jugperëndimore, reshjet pritet të intensifikohen deri në nivel mesatar.
Në këto zona nuk përjashtohen shtrëngata afatshkurtra, shkarkesa elektrike dhe episode me reshje të rrëmbyeshme për periudha të shkurtra kohore.
Sa i përket erës, ajo do të fryjë kryesisht nga juglindja dhe jugperëndimi, me shpejtësi mesatare 8 m/s. Herë pas here, shpejtësia e saj mund të arrijë deri në 15 m/s, kryesisht përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore.
Në det, valëzimi parashikohet të jetë i forcës 2-4 ballë./rtsh/

