Mbrojtësi Lindrit Kamberi ka debutuar me fanellën e Kosovës, në barazimin pa gola 0-0 ndaj Izraelit, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Futbollisti i Zurichut u paraqit për 90 minuta, duke regjistruar paraqitjen e tij të parë me fanellën dardane.
Pas përfundimit të ndeshjes, Kamberi u shpreh i dëshpëruar me rezultatin, por theksoi se Kosova ishte e organizuar mirë në repartin defensiv.
“Jemi të gjithë të dëshpëruar. Në mbrojtje kemi qenë shumë mirë, duhet të jemi të kënaqur me një pikë. Fokusimi është për të ardhmen, janë shumë krenar që luaj për Kosovën. Ekipi ka kualitet”, tha ai.
Për Kamberin, kjo ishte një paraqitje e veçantë, pasi për herë të parë veshi fanellën e Kombëtares së Kosovës në një ndeshje zyrtare.
Kosova pas pesë ndeshjeve të zhvilluara në grupin B3 të Ligës së Kombeve ka gjashtë pikë, ndërsa ndeshjen e radhës do ta zhvillojë ndaj Irlandës më 17 nëntor.

